Shoku im imagjinar ekspert
[Recension: “Për shkak të frikës së LSDM-së nga zgjedhjet, Maqedonia e humb rekomandimin”]
Çka na nxiti që ta propozojmë këtë përmbajtje mediatike për recension të elementeve të saj gazetareske? Disa gjëra që na e tërhoqën vëmendjen që në lexim të parë: teksti u referohet ekspertëve, e asnjë nuk përmendet me emër dhe mbiemër; është përplot me akuza dhe spekulime që janë të fokusuara vetëm te një “fajtor”. Teksti mbjell edhe frikë dhe pasiguri vetëm në bazë të argumenteve të njëanshme të autorit të panënshkruar.
Linku deri te artikulli origjinal: “Për shkak të frikës së LSDM-së nga zgjedhjet, Maqedonia e humb rekomandimin”
Data dhe koha e publikimit: 21.10.2015 15:17
Data e recensionit: 22.10.2015
Recensues: ЗZoran Bojarovski
T’i elaborojmë këto vërejtje serioze. Kur kemi ndonjë përmbajtje mediatike, e cila nuk është rezultat i raportimit nga ndonjë ngjarje, sikurse në këtë rast, gjegjësisht kur kemi analizë gazetareske të një serie ngjarjesh, atëherë ajo që është e domosdoshme është që analiza e tillë të ketë ekspertë ose aktorë të përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë, të cilët do t’i paraqesin qëndrimet, vlerësimet, mendimet e tyre në lidhje me pasojat ose efektet e asaj ngjarjeje.
Në tekstin që e recensojmë, i cili, sipas elementeve, gjuhës dhe strukturës së tij, gjithsesi pretendon të quhet analizë – nuk ka asgjë nga elementet të cilat i përmendëm në paragrafin paraprak të këtij recensioni.
Thënë të vërtetën, autori (i panënshkruar) u referohet ekspertëve, mirëpo nuk i emërton. Thuajse bëhet fjalë për ndonjë përmbajtje delikate ose të rrezikshme, kështu që ekspertët janë frikësuar që të flasin publikisht, me emër dhe mbiemër. Nuk ka lidhje.
Kjo është edhe një nga ato përmbajtje gazetareske që i keqpërdorin “ekspertët” imagjinarë që ta mbjellin të vërtetën, tezën, propagandën… e tyre.
Në këtë përmbajtje mediatike ka akuza dhe spekulime për sjelljen e vetëm një subjekti në bisedimet politike në Maqedoni dhe kjo tregon se ka anshmëri të plotë. Kjo është në kundërshtim me standardin për distancë profesionale nga aktorët politikë.
Dhe, në fund, ajo që është më jo profesionale, në bazë të ekspertëve imagjinarë dhe në bazë të argumenteve të njëanshme, autori i këtij teksti e plotëson (dhe e zgjeron) qëllimin e tij që të mbjellë frikë dhe urrejtje ndaj një partie politike, duke ua hedhur gjithë fajin protagonistëve të kësaj partie.
Kjo, sikurse edhe mangësitë paraprake, e bën këtë tekst problematik në raport me standardet profesionale dhe të gjitha standardet e tjera etike të gazetarisë.