A është heshtja konsensus?

Njerëzit nuk kanë nevojë të besojnë në forca mbinatyrore të së keqes sepse ata vetë mund t’i shkaktojnë të këqijat më të paimagjinueshme

Një herë moti, kur Shqipëria akoma po merrte këmbët nga komunizmi, më rastisi të bëj muhabet me një njeri që e kish provuar veten në politikën e re shqiptare dhe shumë shpejtë ishte larguar nga ajo, i zhgënjyer dhe plotë mllef. Biseduam gjatë atëbotë por asnjëherë nuk do  harroj diçka që më tha ai “politikan i dështuar” në lidhje me implikimet e botës së krimit dhe asaj të politikës:

“Vetëm kriminelët e imtë synojnë politikën, por ama gati të gjithë politikanët përfundojnë si kriminelë ose si shërbetorë të kriminelëve. Disa politikanë e kontrollojnë krimin kurse disa të tjerë janë të kontrolluar nga ai. Kështu nuk është vetëm në Shqipëri, te ju në Maqedoni është edhe më keq…”, më tha dhe u ngrit shpejtë pasi e kundërshtova sepse nuk mendoja ashtu.

Sot, pasi ikën gjitha këto vite nga ai muhabet, sikur jam pak pishman që nuk e dëgjova më me kujdes atë njeri. Vitet që po rrokullisen duket se  po i japin të drejtë atij e mua po më demantojnë. Simbioza e krimit dhe politikës, dhe jo vetëm,  e shndërruan  Maqedoninë  në një  mejhane ballkanike  të coptuar mes ëndrrës antike maqedonase dhe realitetit horor shqiptar. Dhe, të gjithë po thonë se  nuk mbeti asgjë e vlefshme të cilës do të mund t’i referohemi, shteti po na vuan për pak njerëzi dhe për pak moral.

Në fakt, diçka ka mbetur. Na ka mbetur mundësia që me të tjerët të ndajmë frikën tonë nga shkatërrimi dhe të ndajmë  mllefin që nuk jemi në gjendje të bëjmë hiç më tepër se kaq.Po, na ka mbetur edhe ndjenja  e trishtë e turpit që nuk po mund t’i thërrasim ndërgjegjes sonë që të bëjë pak karshillëk ndaj  pafuqisë që kemi.

Heshtja e përgjithshme e popullit dhe posaçërisht ajo e shtresave intelektuale, nuk do shumë spjegime e analiza. O je i frikësuar deri në palcë dhe s’guxon të shprehësh shqetësimet e tua, o je pjesë e koncenzusit dhe je i bindur që çdo gjë është në rregull andaj s’ke pse flet e s’ke pse kërkon ndonjë ndryshim.

Që të kuptohemi drejtë: Ndryshimin unë nuk e kuptoj vetëm si grimosje të skenës politike, ndryshim të bajraqeve partiake dhe bilbordeve.Për një gjë të këtillë, Boshnjakët thonë: “Sjashi Kurto, da uzjashe Murto” (Zbrit Kurto, le të hipë Murto).

Ndryshimet që duhet të ndodhin në Maqedoni duhet të kenë emërues të përbashkët sigurinë, rehatinë dhe shpresën e qytetarit. Kush do i sjellë ato, nuk është fare me rëndësi. Është me rëndësi të zbutet papunësia dhe mbingarkesa e administratës me  punësimet mbi baza partiake, dhe, mbi të gjitha, korrupsioni i llojit më grabitçar që po bëhet shenjë dalluese e shtetit e që për momentin është brendi i vetëm të cilin Maqedonia mund ta patentojë.

Ato ndryshime do duhej t’ju japin fund padrejtësive, ta çrrënjosin diskriminimin që po e përjetojnë shumë individë dhe institucione por që po fshehet nën rogoz nga sytë e opinionit. Po e përmend  shkarazi vetëm denacionalizimin kriminogjen, viktimë e të cilit ishte pikërisht Bashkësia Islame  në Maqedoni. Për shkak të qëndrimit skajshmërisht jokorrekt të pushtetit, institucioni i vetëm islam në vend edhe sot e kësaj dite nuk po mund t’i rikthejë vakëfet të cilat i takojnë edhe me ligjet e Allahut, edhe me ato të njeriut.

Sëkëndejmi, ndryshimet që do duhet patjetër të ndodhin do duhet të vënë shenjën e barazisë përpara ligjit për të gjitha bashkësitë fetare të cilat janë faktor shumë i rëndësishëm për ndërtimin e këtij shteti. Jemi në pritje të kohëve në të cilat një bashkësi fetare, në këtë rast KOM, nuk do të jetë më e favorizuara dhe e përkëledhura e pushtetit, siç ka konstatuar në raportin e vetë të sivjemë për Maqedoninë bile edhe Stejt Deparamenti Amerikan. Vetëm shteti i të drejtës mund të bëhet garanci e stabilitetit dhe progresit që të gjithë faktorët politikë po e dëshirojnë verbalisht  por po e frenojnë praktikisht.

Sidoqofte, dikush tha si me hajgare: “ Të gjitha shtetet kanë Mafia,por vetëm në Maqedoni Mafia ka shtet…”  E pra, sarkazmat e këtij lloji do të duhej të pamundësohen, kuptohet jo me ndalesa po me ndryshime. Dhe, ato do të ndodhin kur elitat politike do të kuptojnë përfundimisht se e kanë bërë hi e pluhur opsionin e votimeve nacionale, se pragu i tolerancës së qytetarëve është shkelur moti dhe është çështje kohe kur do të shpërthejnë pakënaqësitë sociale të cilat, dihet mirëfilli, i bashkojnë njerëzit pa dallimt te përkatësisë politike, etnike, fetare. Politikanët dhe partitë e tyre besoj se e kanë marrë porosinë sepse ata më mirë se çdokush e kuptojnë që heshtja mund të jetë edhe konsensusi i të pakënaqurve.

Por, çfarë mund të duan të pakënaqurit, në çfarë konsensusi mund të kenë arritur ata me heshtjen e tyre?

Të vetëdishëm se politika është ajo që determinon jetën e tyre, ata duan të udhëhiqen nga politikanë të frymëzuar drejtë, që japin mund e përpjekje, që rrezatojnë  përkushtim dhe energji e që japin shenja të qarta se do të dalin ngadhënjyes nga lufta në të cilën do hyjnë. Sëkëndejmi, askush sot në Maqedoni nuk është aq shumë i brengosur se kur do të realizohet Përzhino dhe cilat janë pikat prioritare rreth të cilave do të thyhen shtizat, a do mbahen zgjedhjet në prill apo në maj. Çfarë do të ndryshojë dhe a do ndryshojë mjaftueshëm, ata që do vijnë, qofshin të vjetrit apo të tjerë, a do kuptojnë që janë të zgjedhur për t’i shërbyer popullit dhe jo anasjelltas – kjo është dilema hamletiane e qytetarëve të Maqedonisë.

Pra, është kohë e fundit që injorantët të kuptojnë injorancën e tyre dhe të mos e shesin atë si dituri sepse askush nuk është i gatshëm t’ua blejë. Europianizimi i politikës në Maqedoni nuk është dokërr dhe pallavër që po i dëgjojmë tani e një çerek shekulli sepse po të ishin, Maqedonia do të ishte në Evropë dhe nuk do merrej paskajshmërisht me “ tejkalimin e problemeve ndëretnike e ndërfetare”. Për çfarë europianizimi mund të flitet nëse pjesa dërmuese e elitës politike nuk e kupton atë dhe në fakt punon kundër asaj ideje. Edhe majtas, edhe djathtas mund të pikasen të atillë politikanë dhe të atilla parti .

Këtij vendi i nevoitet ligjshmëri dhe transparencë sa më shumë dhe sa më shpejtë. Kush do e sjellë, është çështje krejtë e parëndësishme. Vetëm le t’i ruaj Zoti lehtësuesit ndërkombëtarë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button