Treboshi përballet me papastërti të madhe

Banorët e fshatit Trebosh të Zhelinës me ditë të tëra përballen me përmbytje të bodrumeve, papastërti nëpër rrugët e fshatit si dhe erë të keqe që kundërmon. E gjithë kjo si pasojë e gypit i cili kalon përmes fshatit, ndërsa është i mbushur me ujëra të zeza që vijnë nga kanalizimet fekale të qytetit të Tetovës, njofton Alsat-M.

“Shumë dëm na bën dhe e shihni çfarë ere vjen katastrofë erë e keqe, krejt prej tualeteve më duket është. Ka shpërthyer ndonjë puset atje dhe gjysma e fshatit ka kanalizim gjysma nuk ka”.

“Shiheni uji çka është mbledh lloj- lloj gjërash e tualetesh lëshojnë këndej vjen erë e keqe, po sa e kuptojnë njerëzit nuk e di”.

“Këtu nuk ka pasur kësi pisllëqe tash në këtë demokracinë moderne shikojeni krejt me plehra, a nuk është kjo turp për këtë demokraci për këtë të tashme”.

“Nëpër shtëpia vjen era shumë nuk hyhet brenda. Ky tualeti i qytetit është e kanë lëshuar në kanal dhe askush nuk merr përgjegjësi për këtë punë”.

Kryetari i bashkësisë lokale të Treboshit, Berzat Isaku, është shprehur për Alsat se problemi nuk është prej tani por ndodhë tanimë një kohë të gjatë.

“Ne e kemi lajmëruar inspektoratin e komunës ishin ata në vendngjarje dhe del që është problem i komunës së Tetovës, ne do bëjmë kërkesë edhe tek ata po na kanë premtuar se do merren me këtë problem dhe do e zgjidhin këtë që së paku të ndalohet kjo pjesë e ujërave të zeza që kalon përmes fshatit”, tha Berzat Isaku. Kryetar i Bashkësisë Lokale të Treboshit.

Nga Ndërmarrja publike komunale e Tetovës thonë se situata e krijuar nuk është e qëllimshme, por shkaku i një defekti që është paraqitur në kolektorin kryesor të Tetovës. Drejtori i kësaj ndërmarrje Xhelal Ceka ka akuzuar banorët e fshatrave Xhepçishtë e Poroj, të cilët, sipas tij bllokojnë kolektorin për t`i ujitur arat e tyre.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button