Rama sot në Bruksel, merr pjesë në minisamitin evropian, vizitë edhe në Hong Kong

Kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama, do të marrë sot pjesë në minisamitin europian që zhvillohet në Bruksel. Pas këtij takimi, kryeministri Rama pritet që të vijojë vizitën zyrtare të parashikuar për në Hong-Kong.   Në fokus të këtij minisamiti do të jetë kriza e refugjatëve, ndaj dhe Shqipëria, Holanda dhe Suedia u shtuan pasditen e së premtes në listën e vendeve pjesëmarrëse të Korridorit Ballkanik, meqënëse këto tre shtete konsiderohen si “potenciale” për rrugën e refugjatëve.

Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker bëri thirrje të mërkurën e kaluar për një mbledhje urgjente të udhëheqësve të atyre shteteve të BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor që preken nga fluksi i emigrantëve.   Sipas njoftimit zyrtar, tryeza e nivelit të lartë ka për “qëllim të përmirësojë bashkëpunimin dhe të rrisë konsultimet mes vendeve pjesëmarrëse”, sidomos mes Sllovenisë, Kroacisë dhe Hungarisë.

Ky samit sipas “Top-Channel”, pritet që të vendosë për disa “masa pragmatike operacionale që mund të zbatohen në mënyrë të menjëhershme për të trajtuar krizën e refugjatëve në këtë rajon”.

Javët e fundit kanë treguar se kjo sfidë nuk do të zgjidhet përmes veprimeve kombëtare, sipas Komisionit dhe suksesi mund të arrihet vetëm me anë të qasjes kolektive, ndërkufitare.

Takimi pritet të nisë rreth orës 17 dhe përveç Shqipërisë konfirmohet pjesëmarrja e nivelit të lartë nga Austria, Gjermania, Bullgaria, Rumania, Kroacia, Sllovenia, Serbia, Maqedonia dhe Greqia.

Gjithashtu do të jetë presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz, komisioneri i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët dhe përfaqësuesit e agjencisë Frontex dhe Zyrës Mbështetëse Europiane për Azilin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button