Tri kërkesat e Nishanit për presidentin grek

Greqia duhet të shfuqizojë ligjin e luftës me Shqipërinë. Kërkesa është bërë sot nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, gjatë një takimi me homologun e tij grek, Karolos Papulias, i cili ndodhet për një vizitë treditore në Tiranë. 

Gjithashtu, Nishani tha se duhet të gjendet zgjidhje për tamponimet si dhe për çështjen e kufirit detar midis dy vendeve.

“Kërkova që Parlamenti grek të shfuqizojë Ligjin grek të Luftës, akoma në fuqi, dhe që mban në sekuestro konservative pasuritë e shtetasve shqiptarë në Greqi, si edhe abrogimin e të gjitha ligjeve që rrjedhin prej tij dhe që janë në kundërshtim me nenin 15-të të Traktatit të Miqësisë. Shpreha shqetësimin për moszgjidhjen ende të çështjes së toponimeve, e cila po bëhet pengesë për lëvizjen e lirë dhe shërbime që lidhen me legalizimin e dokumenteve të tjera. Delimitimi detar midis dy vendeve mbetet një çështje për tu zgjidhur. Pala jonë është e gatshme për të gjetur një zgjidhje të përbashkët me palën greke, në përputhje me të Drejtën Ndërkombëtare dhe legjislacionin e brendshëm të secilit vend.”, deklaroi Nishani.

Gjatë konferencës për shtyp, Nishani vlerësoi mbështetjen e Greqisë për çështjen e integrimit të vendit.”Viti i ardhshëm do të jetë shumë i rëndësishëm edhe për faktin se Greqia do të marrë presidencën e radhës së BE-së në 6-mujorin e parë të vitit 2014, por dhe për ambicien tonë si Shqipëri për të avancuar në procesin e kandidimit në BE”, tha Nishani. Ai diskutoi me z. Papoulias edhe mbi mundësinë për t`i ngritur marrëdhëniet dypalëshe në nivele më të larta, sidomos duke nxitur bashkëpunimin ekonomiko-tregtar dhe investimet greke në Shqipëri.

Nga ana e tij, presidenti grek, Korolos Papoulias, theksoi se kjo vizitë i jep një shtysë të re marrëdhënieve mes dy vendeve. Ai u përqendrua tek minoriteti grek në Shqipëri, duke nënvizuar se ai përbën një “nyje lidhëse miqësie dhe bashkëpunimi ekonomik, social, e kulturor mes dy vendeve dhe të gjithë jemi dakord se të drejtat e tyre duhet të respektohen. Nga ana tjetër, qindra e mijëra emigrantë shqiptarë që jetojnë e punojnë në Greqi, përbëjnë një element të fuqishëm lidhës në marrëdhëniet tona”.

Presidenti grek u shpreh gjithashtu se, në takim me Presidentin Nishani, u shqyrtua bashkëpunoi greko-shqiptar në fushën energjetike. “Gazsjellësi TAP përbën një fushë të re bashkëpunimi dhe krijon realitete të reja në hartën energjetike të rajonit”, tha Papoulias.

Lidhur me marrëveshjen për delimitimin e zonave detare, Presidenti i Greqisë, theksoi se, “politikat e integruara detare do të jenë një përparësi, si për Presidencën greke të BE-së, ashtu edhe atë italiane që do ta zëvendësojë”.Duke folur për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe BE-së, Presidenti grek siguroi se, “gjatë Presidencës së saj të BE-së, Greqia do të avancojë në mënyrë energjike ecurinë integruese të Shqipërisë”. Në fund të fjalës së tij, Presidenti Papoulias ka ftuar Presidentin e Republikës, Bujar Nishani për të vizituar Greqinë.

Lajme të ngjashme

Back to top button