Merkel: Marrëveshja për tregti të lirë BE-Ukrainë, nuk është kundër Rusisë

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se Marrëveshja për tregti të lirë e nënshkruar ndërmjet Ukrainës dhe Bashkimit Evropian (BE) nuk është bërë kundër Rusisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Merkel në një konferencë të përbashkët për mediat pas takimit me kryeministrin e Ukrainës Arseniy Yatsenyuk theksoi se bashkëpunimi ekonomik ka ofruar mundësi për përmirësimin e ekonomisë në Ukrainë.

Ajo tha se po përpiqen të mbështesin procesin e reformave në Ukrainë ku dhe në këtë fushë janë hedhur hapa të rëndësishëm siç është me rinovimin e personelit dhe se në luftën kundër korrupsionit nuk do të arrihen suksese brenda disa muajve.

Merkel ka theksuar se marrëveshja për tregtinë e lirë është një motor për zhvillimin e ekonomisë në mënyrë dinamike. “Marrëveshja e tregtisë së lirë e nënshkruar ndërmjet Ukrainës dhe BE-së nuk është bërë kundër askujt. Kjo është hapja e tregjeve të Ukrainës në BE. Nuk është kundër Rusisë”, ka thënë Merkel.

Kancelarja gjermane ka tërhequr vëmendjen ndër të tjera për rëndësinë e marrëveshjes së Minskut për stabilitetin e vendit dhe ka theksuar se armëpushimi është i dobishëm por se duhet të sigurojë edhe hyrjet deri në kufi të vendit duke përfshirë edhe rajonet Donetsk dhe Lugansk.

Ndërsa ndaj një pyetjeje për sanksionet ndaj Rusisë, Merkel potencoi se ato janë në lidhje me zbatimin e marrëveshjes së Minskut.

Kryeministri ukrainas Yatsenyuk tha se edhe në axhendën e vendit të tij janë zbatimi i reformave dhe se ai në këtë çështje ka kërkuar mbështetje.

Yatsenyuk theksoi se armëpushimi është siguruar por se është shumë i brishtë dhe ka kërkuar që marrëveshja e Minskut të zbatohet edhe nga Rusia.

Ai vuri në dukje se agresiviteti i Rusisë në Krime, Donetsk dhe Lugansk ka hapur rrugën për sprova të mëdha në komunitetin e Ukrainës. “Në rajonet ku ndodhen ushtarët rusë 1.5 milionë persona janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre”, tha ai.

Yatsenyuk në lidhje me një pyetje për marrëveshjen e tregtisë së lirë të nënshkruar me BE-në u shpreh se marrëveshja do të hyjë në fuqi më 1 janar. “Rusia dhe asnjë vend tjetër nuk ka të drejtën e vetos për këtë marrëveshje të arritur me BE-në”, theksoi kryeministri ukrainas.

Sipas tij, Rusia që para 10 viteve ka vendosur kufizime ndaj mallrave të Ukrainës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button