Sërish gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës

Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, që të trija në opozitë, kanë bllokuar Kuvendin e Kosovës, por kësaj radhe këtë e kanë bërë para se të nis seanca, e cila ishte paraparë që punimet t’i fillojë në orën 16:00.

Në ambientet e Kuvendit të Kosovës, është hedhur gaz lotsjellës. Hedhjen e gazit e ka konfirmuar Lëvizja Vetëvendosje përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

Kjo është bllokada e pestë që opozita i bën Kuvendit, për ç’gjë në dy raste ka përdorur gaz lotsjellës dhe në një rast, ka sulmuar me vezë.

Opozita është zotuar se do të vazhdojë të bllokojë punimet në Kuvendin e Kosovës, deri në shfuqizimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

Me theks të veçantë, opozita kundërshton marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të komunave të banuara me shumicë serbe, të arritur më 25 gusht të këtij viti, duke e cilësuar atë si hap drejt ndarjes së Kosovës.

Të dëmshme për integritetin territorial të vendit, opozita e ka cilësuar edhe marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Partitë politike në pushtet, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë kritikuar ashpër veprimet e fundit të subjekteve politike në opozitë, përfaqësues të të cilave në dy raste kanë përdorur edhe gazin lotsjellës brenda sallës së Kuvendit për të ndërprerë punimet.

Autoritete të larta vendore dhe ndërkombëtare gjithashtu kanë kritikuar opozitën, duke i bërë thirrje që të shfrytëzojë pikërisht Kuvendin, për të ngritur përmes debatit shqetësimet që ka.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button