Dibra shënoi “Ditët kulturore franceze” ku u diskutua edhe roli i mediave

Në kuadër të projektit “Trashëgimi e kryqëzuar” në Dibër u shënuan “Ditët kulturore franceze”, një projekt i Qendrës për Zhvillim të Qëndrueshëm të Komunitetit. Në këtë manifestim u fol për bashkëpunimin e Republikës së Maqedonisë me territorin e Normandisë në Francë dhe konkretisht, bashkëpunimin e Komunës së Dibrës me qytetin e If.

Bartës të këtij projekti janë Këshilli Regjional i Normandisë së Poshtme dhe Ministria e Vetëqeverisjes Lokale në Maqedoni. Projekti në tërësi koordinohet nga organizata ALDA me qendër në Shkup.

Sanja Tërkovska, nga organizata ALDA theksoi se “Ky është një rast i rrallë i bashkëpunimit të një regjioni të një shteti tjetër me një republikë të tërë që tashmë vazhdon për dhjetë vite. Qëllimi është rritja e bashkëpunimit ndërkombëtar të të dy territoreve gjegjësisht hapja e regjionit frances ndaj botës dhe në të njejtën kohë hapja e Maqedonisë drejt Bashkimit Evropian dhe lehtësim i procesit të integrimit.”

Pjesa e parë e manifestimit përfshiu një tribunë në të cilën u diskutua “Roli i mediave në shoqëri, me theks të veçantë gjendja e mediave në Maqedoni dhe në nivel lokal”.

Kryetari i Komunës së Dibrës, në rolin e folësit në këtë tribunë për mediat në Maqedoni tha se ata kanë karakter nacional, indivual dhe politik ku mungon profesionalizmi dhe mungon shkollimi i specializuar konkretisht për gazetari. “Informacionet që jepen janë nxitëse dhe irrituese. Që në faqet e para të shtypit shihen informacionet trishtuese dhe që ndjellin frikë. Në plan të parë janë vrasjet, pastaj ndeshjet dhe gjithçka që është e ligë dhe e dobët në shoqëri. Nuk kam lexuar ndonjëherë në një shtyp që të shkruhet se sot në një ditë diplomuar dhjetë inxhinierë, pesë jurist etj. Neglizhohet ajo që është ardhmëri, prezantohet ajo që është errë e zi.”

Studenti në shërbimin vullnetar francez, Rafael Galbez, kur bëri një krahasim me mediat e Francës tha se “Atje mediat respektojnë rregullat e gazetarisë dhe në rradhë të parë kanë respekt për të tjerët. Ligjet e shtetit i garantojnë medias lirinë e të shprehurit dhe ata janë të pavarura nga shteti.”

Dona Kosturanova, aktiviste e shoqatës civile MOF (Forumi Arsimor Rinor) shpalosi disa të dhëna dhe statistika të nxjerra nga një hulumtim i bërë në bashkëpunim me Metamorphosis para tri viteve i pari i këtij lloji që ka përfshirë njëmbëdhjetë shtete të Evropës juglindore. Kosturanova mes të tjerave theksoi faktin se “14 % e të rinjëve të këtij shteti, asnjëherë nuk kanë lexuar një gazetë nga fillimi deri në fund. Kur u pyetën se cila është media që më shumë i besojnë, shumica thanë radioja, dhe kjo me gjasë është pasojë e faktit që dëgjojnë më pak radio. Atmosfera mediatike tek ne është shëndërruar ose në senzacionale për të fituar klikime ose oportune për të thënë atë që i pëlqen financuesit të medias.”

Gazetarja e Portalb, Fatlume Dervishi, vuri në pah faktin se ligji që garanton lirinë e medias ekziston edhe tek ne por fatkeqsisht nuk aplikohet në praktikë. “Mediat bien pre e ndikimit politik kryesisht përshkak të vështirësive financiare me të cilat përballen. Studiuesit vlerësojnë se portalet janë e ardhmja e medias përshkak të dinamikës së jetës, shpejtësisë dhe thjeshtësisë së informacionit të njohur si Mc Donaldizim në media, gjithashtu aksesit që kemi te ata në çdo kohë dhe në çdo vend.”

Manifestimi u përmbyllë me një ekspozitë në Hamamin e ri të qytetit të Dibrës ku ishin ekspozuar fotografi dhe dokumente të vjetra të Komunës së IF-it, Francë, pas Luftës së Dytë Botërore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button