PËRTEJ DEFETIZMIT

Çdo ditë e re është një mundësi për të shënuar gjurmët tona.

Çdo ditë e re është mundësi për të shkuar përtej të rëndomtës dhe për të provuar t’i tejkalojmë kufijtë e ngritur me vite e shekuj.

Defetizmi është sëmundje fuqishteruese. Është nënshtrim ndaj fatit. Është mosbesim në suksesin dhe fitoren tonë.

Defetizmi ta pamundëson që ta ndryshosh gjendjen ku je katandisur. Të shtyn të besosh se je i pafuqishëm për të ndryshuar gjërat që kanë marrë ters.

Duke besuar se je figurant në këtë botë, pret atë që ta falin të tjerët si mëshirë. T’i nënshtrohesh rutinës është e lehtë. Frika për të vepruar të bën qenie inferiore.

Të mos ndjehesh i ligështuar dhe të mos besosh se dikush tjetër t’i zgjidh hallet që ke, kjo është çështja. Kemi shumë halle, por kemi mundësinë ta ndryshojmë jetën dhe gjendjen tonë.

E tha i urti: “Të jetosh nuk do të thotë të marrësh frymë, por të veprosh”; të veprosh për ta ndryshuar vetveten, për ta ndryshuar botën, duke e bërë më të mirë e më humane.

Duhet besuar në ditën e re që nuk do të përsëritet, prandaj duhet të bëjmë gjithçka mundemi që në mbrëmje mos të ndjehemi të zhgënjyer, mos të ndjehemi bosh dhe me bindjen se një ditë na iku kot, pa bërë asgjë.

Duhet pasur synim, sepse njeriu pa synim, thotë A. Rand, është njeriu më i çoroditur. Njeriu pa synim shkon atje ku e çojnë furtunat e fatit të pamëshirshëm.

Njerëzit dhe kombet nuk janë përsosur duke iu nënshtruar fatit, por duke iu kundërvënë atij. Që t’i kundërvihesh fatit duhet të kesh një ideal e t’i orientosh të gjitha potencialet drejt realizimit të tij.

Njerëzit që kanë lënë gjurmë në kohën e tyre janë ata që kanë pasur një synim dhe kanë ngulmuar në jetësimin e tij. Ata kanë ecur në drejtimin e kundërt me rrymën. Janë përballur me pengesa të shumta, por janë ata që e kanë bërë botën më të përsosur.

Deri te suksesi nuk arrihet me lehtësi. Gjërat e bukura nuk krijohen shpejt. Të gjithë ata që janë ngritur në piedestal, kanë kaluar nëpër labirintet e mundimeve. Ata janë munduar të jenë ndryshe aty ku ka pasur aheng të përgjithshëm.

Është lehtë të jesh si të tjerët, por e vështirë të bëhesh vetvetja.

Duhet besuar e ngulmuar se kështu e kuptimësojmë jetën tonë. Dëshmojmë se nuk jemi figurantë në këtë jetë e në këtë botë, me fatet e të cilëve luajnë të tjerët.

Duhet bërë atë që dimë e që mundemi. Është e vështirë, por asgjë e mirë nuk vjen lehtë. Liria, në fund të fundit, është gjendje aktive. Është ngulmim i përhershëm dhe jo përgjumje.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button