Sheikh Salman: Më nxisin të kandidoj për kreun e FIFA-s

Sheikh Salman, presidenti i Konfederatës Aziatike të Futbollit (AFC) ka thënë se shumë zyrtarë të lartë të futbollit dhe figura të shquara publike e nxisin atë të kandidojë për postin e presidentit të Federatës Botërore të Futbollit (FIFA), raporton Anadolu Agency (AA).

Në një letër drejtuar anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të AFC-së Salman vuri në dukje se nuk ka vendosur akoma nëse do të kandidojë për kreun e futbollit botëror, por shtoi se një numër i madh i figurave të shquara të futbollit, anëtarë të FIFA-së dhe figurat publike i bëjnë thirrje të kandidohet për zgjedhjet në shkurt të vitit të ardhshëm.

Afati për paraqitjen e kandidaturës është 26 tetor, dhe për atë nevojitet përkrahja e pesë federatave kombëtare.

Sheikh Salman në korrik të këtij viti mbështeti publikisht kandidaturën e Michel Platinit, presidentit aktual të Federatës Evropiane të Futbollit (UEFA). Por, pas pezullimit të Platinit për 90 ditë nga komiteti i etikës në FIFA, pas marrjes së dy milionë frangave zvicerane nga Sepp Blatter, u hap mundësia që Salman të tërheqë mbështetjen e tij ndaj francezit.

Kreu i futbollit aziatik në letrën e dërguar të martën bashkëpunëtorëve të tij në AFC ju bëri thirrje për t’u konsultuar me ata dhe për të shprehur mendimin e tyre për kandidaturën e tij të mundshme për president të FIFA-s.

“Pa mendimin tuaj nuk do të kandidohesha. Vendimi im për kandidaturë në masë të madhe është në duart tuaja”, shkroi në mes tjerash Salman.

Sot pasdite pritet takimi i jashtëzakonshëm i udhëheqësisë së FIFA-s ku pritet se 25 shkurti do të konfirmohet si datë e mbajtjes së zgjedhjeve për president.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button