Tetova mbytet në tym, zjarrin 5 ditësh askush nuk e shuan

Në Tetovë, saktësisht në rajonin malor mbi Komunën e Tearcës, në  fshatin Varvarë, ka pesë ditë që është përhapur një zjarr i madh të cilin askush nuk e shuan. Flakët kanë përpirë malin që nga data 27 tetor, për fat të mirë nuk është në zonë të banuar dhe deri më tani nuk ka të paraqitur të lënduar. 

Mirëpo, zjarri që djeg një pjesë të malit, shqetëson qytetarët sepse ka stërmbushur qytetin me tym dhe nga vetë fakti që askush nuk reagon për ta shuar atë. 

“Mbrëmë dukej mali ku digjet, ngase natën dukej shumë! Nga tymi nuk mund të marrim frymë. A nuk ka njeri që duhet të reagojë?” thotë Jeton Abdiu, qytetar i Tetovës.

Kompetentët thonë që kanë pritur zjarri vet të shuhet ndërsa hedhin përgjegjësinë si te njëri ashtu te tjetri.

Mësojmë se përgjegjëse për lajmërimin e zjarrit është ndërmarrja që menaxhon me pyjet “Pyjet e Maqedonisë”-Leshnicë, sektori për Tetovën, si dhe Komuna përkatëse ku ndodh zjarri, gjegjësisht Komuna e Tearcës. Nga kjo ndërmarrje thonë se mbrëmë kanë qenë në vendin ku digjet por ai është i pakalueshëm për automjetet që shuajnë zjarrin. 

“Ishim mbrëmë por nuk mundëm ta shuajmë, jemi në kontakt me Qendrën për menaxhim të krizave” tha udhëheqësi i sektorit për Tetovën në NP “Pyjet e Maqedonisë”, Trpe Misajlloski.

Ai nuk u përgjigj në pyetjen: “Pse është pritur 5 ditë të tëra për të reaguar?”

Më habitës është mos-koordinimi i Misajllovskit me Komunën e Tearcës si dhe me Qendrën për menaxhim të krizave.

Zëdhënësi i Qendrës për menaxhim të krizave, Fitim Lloga thotë se zjarri ka shumë tym por nuk ka rrezik jete. Ai thekson se Qendra për menaxhimin e krizave, koordinon punën mes Drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim, Ekonomisë pyjore të fshatit Leshnicë dhe Komunës së Tearcës por nuk ka më shumë përgjegjësi.

“Përgjegjëse për këtë rast është Komuna e Tearcës e cila duhet ta alarmojë situatën. Deri te drejtoria nuk ka pasur lajmërim më herët pos sot në mëngjes nga Ekonomia pyjore e fshatit Leshnicë. Jemi në kontakt me të gjitha palët” thotë për Portalb, Lloga.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Tearcës, Isen Asani thotë se vendi ku ka rënë zjarri nuk i përket komunës së tij.

“Zjarri është nën komunën e Tetovës. Unë do ta shoh më vonë këtë vend” tha Asani i cili që në mëngjes na lajmëroi se do të shkojë në këtë vend, por ishte ende në takim.

As nga njësia e Zjarrfikësve të Tetovës nuk mund të reagojnë sepse thonë se vendi është i pakapshëm, posacërisht nuk mund të intervenojnë në vende malore nuk kanë mjete, ndërsa përgjegjësia bie mbi Komunën në fjalë, Qendrën për menaxhim të krizave si dhe Ndërmarrja për menaxhimin me pyjet.

“Ne jemi të gatshëm për intervenim por nuk kemi mjete. Urdhëresën për lëshimin e atyre traktorëve e bën Qendra për menaxhim të krizave me lajmërim paraprak të Komunës dhe ndërmarrjes për pyje” tha për Portalb, Ukë Aliti, kryekomandant i njësisë së zjarrfikësve të Tetovës.

Nga Komuna e Tetovës thonë se vendi ku është përhapur zjarri është nën kompetenca të Komunës së Tearcës.

Përderisa institucionet në fjalë ti definojnë kompetencat dhe të vendosin ta shuajnë zjarrin, mos me gjasë të pritet ndryshim të motit, tetovarët do ta kalojnë edhe një ditë në tym.  /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button