Nxënëset krenare që bartin shami në shkollë (Video)

Për dallim nga Kosova që ndalon bartjen e shamisë, nxënëset myslimane në Bujanoc, veçanërisht në Luginë, nuk janë të diskriminuara në bartjen e mbulesës.

Në reportazhin kushtuar nxënëseve të mbuluara, në fokus të Televizionit Bujanoci kanë qenë nxënëset e shkollës së mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc, pesë nga të cilat kanë vendosur të mbajnë shaminë.

Këto nxënëse në deklaratat e tyre kanë shprehë gëzimin si dhe mirënjohjen për mirëpritje të vendimit të tyre për të vendosur shaminë mbi kokë, si nga bashkëmoshataret e tyre, njashtu edhe nga udhëheqësia e shkollës.

“Në Serbi nuk ka ndonjë ligj që ndalon bartjen e shamisë në shkollë, por as që lejon”, tha drejtori në shkollën “Sezai Surroi”, Zejni Fejzullahu.

Ai theksoi se kjo shkollë nuk i pengon nxënëset në bartjen e shamisë përderisa ato nuk i ndalon ligji, duke kujtuar se që nga viti 2010 ky institucion arsimor ka aprovuar kodeksin e sjelljes së nxënësve.

Vendimin e nxënëseve për të bartur shami e ka përshëndetur edhe teologu Ragmi Destani. Ai kërkon që kjo mbulesë të jetë e përshtatur me atë që praktikojnë vajzat tjera në rajon.

“Veshja e mbulesës te vajzat tona qoftë në shkollë apo institucione të tjera, duhet të mos e tejkalojë tradicionalen”, tha Destani.

Ndërsa, sipas psikologes Gentiana Mehmeti, veshja është njëra ndër kushtet e lirisë së një individi.

“Veshja përfaqëson lirinë individuale të gjithsecilit, zgjedhjen personale të tyre dhe në qoftë se një vajzë ndihet mirë nëse e ka mbulesën në kokë, atëherë pse t’i pengojnë faktorët e tjerë?”, thotë Gentiana Mehmeti.

Përderisa Kosova me vendim të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës ka ndaluar bartjen e shamisë në institucionet arsimore, myslimanet e Luginës vazhdojnë ta gëzojnë këtë drejtë, derisa Ministria e Arsimit e Serbisë nuk vendosë ligj për ndalimin e saj.

Lajme të ngjashme

Back to top button