Forcat turke rrëzojnë avionin rus pasi shkeli hapësirën e tyre ajrore

Avionët rusë që bombardojnë mbi territorin sirian kanë shkaktuar më në fund incidentin e parë serioz, duke rrezikuar një përkeqësim të mëtejshëm të situatës në rajon. Pasi në ditët e para të misionit të tyre patën provuar të shkelnin hapësirën ajrore turke, çka u përcoll vetëm me paralajmërime dhe me replika të dyanshme mes Rusisë dhe Turqisë, një i tillë ka bërë të njëjtën gjë sot, për t’u goditur e rrëzuar më pas.

Lajmi për rrëzimin e një avioni mëngjesin e sotëm nuk u shoqërua me të dhëna për përkatësinë e tij, gjë e cila u mësua vetëm pak minuta më pas nga burimet pranë presidencës turke. Ai qe një avion luftarak rus SU-24, i qëlluar nga dy avionë turq F-16 pasi ishte paralajmëruar dhjetë herë brenda pesë minutave për shkelje të hapësirës ajrore turke.

Dy pilotët rusë arritën të hidheshin me parashutë, por siç duket nuk mundën t’i shpëtojnë vdekjes. Siç njoftoi televizioni turk CNN Türk, njëri prej pilotëve u vra, ndërsa tjetri u kap nga forcat turkmene në rajon. Agjencia e lajmeve Doğan shkon më tej, duke raportuar për vrasjen e të dy pilotëve, siç pretendojnë forcat turkmene.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i autoriteteve turke. Kështu, kryeministri Ahmet Davutogllu ka shfrytëzuar rastin në një ceremoni për të deklaruar se Turqia ka të drejtën t’u përgjigjet shkeljeve të hapësirës së saj ajrore.

“E gjitha bota duhet të jetë e vetëdijshme dhe e sigurt se ne do të bëjmë ç’është e nevojshme për të garantuar paqen dhe sigurinë e vendit tonë brenda të gjithë këtij rrethi zjarri,” kanë qenë fjalët e Davutogllusë, që sot ka bërë të njohur dhe emrat e kabinetit të ri.

Ndërkaq një zyrtar turk, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, ka thënë se ky nuk është një aksion kundër një vendi të caktuar. Sipas tij, avionët turq F-16 ndërmorën hapat e nevojshëm për të mbrojtur territorin sovran të Turqisë.

Presidenti Rexhep Tajjip Erdogan do të drejtojë sonte një takim të sigurisë, me pjesëmarrjen e kryeministrit turk, shefit të Shtabit të Përgjithshëm, shefit të shërbimit të fshehtë, MIT-it, si dhe të një numri ministrash. Në takim do të diskutohet posaçërisht për rrëzimin e avionit dhe zhvillimet pasuese.

Krejt ndryshe kanë reaguar zyrtarët rusë. Kështu, pasi Ministria e Mbrojtjes e konfirmoi lajmin e rrëzimit të avionit, por duke e mohur shkeljen e hapësirës ajrore turke, presidenti Putin ka qenë shumë më i ashpër në reagimin e tij, duke e quajtur incidentin një thikë pas shpine. “… Trupat tona po luftojnë heroikisht kundër terroristëve, duke rrezikuar jetën e tyre. Por humbja që ne pësuam sot erdhi nga një thikë pas shpine…”

Putin paralajmëroi se rrëzimi i avionit do të ketë pasoja të rënda në marrëdhëniet midis Rusisë dhe Turqisë. “Ne gjithmonë e kemi trajtuar Turqinë jo vetëm si një fqinj të afërt, por gjithashtu si një vend mik. Nuk e di se kush ka interes për atë që ngjau sot, por ne sigurisht nuk kemi.”

Presidenti rus e quajti gjithashtu shqetësues faktin se Turqia nuk u përpoq të komunikonte me Rusinë pas incidentit, por nxitoi të thërriste një takim të NATO-s.

Më i kursyer është treguar zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov, i cili e ka quajtur incidentin shumë serioz, duke nënvizuar se është tepër herët për të nxjerrë konkluzione.

“Eshtë e pamundur të thuash diçka pa patur informacion të plotë,” është shprehur ai.

Thirrje për qetësi ka bërë presidenti i BE-së, Donald Tusk. “Në këtë moment të rrezikshëm pas rrëzimit të avionit rus, të gjithë duhet të qëndrojnë të qetë.”

Siç mësohet së fundmi, Sergei Lavrov, ministri i Jashtëm rus, ka anuluar vizitën e tij në Stamboll këtë të mërkurë.

Lavrov u tha gazetarëve: “Eshtë marrë vendimi për ta anuluar takimin në nivel ministrash të Jashtëm, i planifikuar për t’u mbajtur nesër në Stamboll.” Për të shtuar më pas se niveli i kërcënimit të terrorit është rritur në Turqi, duke u rekomanduar rusëve t’i shmangin udhëtimet drejt këtij vendi.

“Eshtë e nevojshme të theksohet se kërcënimet e terrorit me rrënjët e tyre në Turqi janë shtuar. Ne çmojmë se kërcënimet nuk janë më pak se në Egjipt. Për shkak të kësaj nuk u rekomandojmë qytetarëve tanë ta vizitojnë republikën turke për turizëm apo për ndonjë qëllim tjetër në këtë moment.”

Efektet kanë qenë të menjëhershme, pasi një prej operatorëve më të mëdhenj turistikë rusë, Natalie Tours, ka lajmëruar tashmë pezullimin e përkohshëm të shitjes së paketave të udhëtimit për në Turqi.

Vetëm ky fakt mjafton për të ilustruar tensionin e madh mes dy shteteve në këtë moment, kur kujtojmë se Turqia është një prej destinacioneve më të parapëlqyera për turistët rusë.

Çfarë nuk duhet harruar në të njëjtën kohë, ashtu siç bën të ditur dhe një prej gazetave turke, është fakti se që nga vitet 1950 është hera e parë që një vend anëtar i NATO-s rrëzon një avion luftarak rus apo sovjetik.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button