Veseli: Kuvendi i Kosovës do të sigurojë kushte për punë normale

Kryesia e Kuvendit të Kosovës në mbledhjen e saj, të mbajtur pas ndërprerjes së seancës së sotme plenare për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës nga opozita, do të vazhdojë tentimet për të bindur opozitën që t’i jap fund bllokadës, mirëpo njëkohësisht është e vendosur që në të ardhmen të zbatojë Rregulloren e Punës së Kuvendit dhe të krijojë kushte për seanca normale, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit e cila zgjati mbi dy orë, kryeparlamentari Veseli duke folur para medieve, shprehi keqardhjen e tij për ngjarjet dhe pamjet e sotme. Ai theksoi se opozita nuk po e pranon thirrjen për dialog, komunikim, debat dhe vendimmarrje demokratike në Kuvend, sikurse që po e refuzon edhe thirrjen për respektimin e rregullave dhe ligjeve të Republikës së Kosovës.

Në deklaratën e përbashkët të Kryesisë së Kuvendit, të lexuar nga Veseli, thuhet se tensionet e krijuara deri tash janë mbajtur në Kuvend për arsye shtetërore dhe për t’iu shmangur konfrontimeve qytetare por, Veseli tha se opozita këtë nuk po e mirëkupton.

“Kuvendi i Kosovës është duke u keqpërdorur nga pakica opozitare. E dimë gjendjen e krijuar dhe synimet e opozitës, argumentet e saj janë të padrejta dhe të paqëndrueshme. Kuvendi është vendi ku ata duhet të shprehin çdo pakënaqësi dhe kundërshtim të tyre, në mënyrë demokratike e jo me veprime antiligjore”, tha Veseli.

Ai shtoi se sjellja e deritashme e deputetëve opozitarë po e cenon mundësinë e debatit në Kuvend dhe e cilësoi si ngulfatje të demokracisë.

“Në Kuvendin e Republikës së Kosovës ekziston një shumicë parlamentare e zgjedhur në mënyrë demokratike, dhe kjo është legjitime dhe legale, nga e cila ne nuk do të heqim dorë. Pretendimi i opozitës për të vepruar në emër të popullit pa e pyetur popullin është pretendim jo demokratik dhe cenim i rendit kushtetues të Kosovës”, tha kryeparlamentari Veseli.

Ai insiston se gjendja e krijuar nuk është me faj të Kuvendit të Kosovës dhe se, as nuk do të zgjidhet në Kuvend. Prandaj, ai ka ftuar të gjithë aktorët politik dhe institucional të kontribuojnë në tejkalimin e situatës dhe në kthimin e normalitetit në funksionimin e institucioneve të Kosovës.

Shih për këtë, Veseli porositi se ai si kryetari i Kuvendit dhe kolegët e tij nga Kryesia e Kuvendit, do të vazhdojnë përpjekjet për komunikim me opozitën, duke i ftuar që të jenë të arsyeshëm dhe ta respektojnë Kushtetutën, ligjet dhe Rregulloren e Kuvendit. Nga ana tjetër, ai theksoi se pozita është e vendosur që të respektojë të njëjtat dhe se në këtë aspekt nuk do të lëshoj pe.

“Ne jemi të vendosur që të marim të gjitha masat e nevojshme, në përputhje me Rregulloren e Kuvendit për ecurin normale, demokratike të punës së Kuvendit. Këtë e kemi obligim kushtetues. Kuvendi i Kosovës është zë i popullit dhe këtë zë kur nuk kanë mundur e as nuk do të mund ta ndalin kërcënimet e aq më pak gazrat lotsjellës”, u shpreh Veseli.

Në fund, ai ka falënderuar gjithë qytetarët e Kosovës për maturinë e treguar dhe ruajtjen e qetësisë, duke mos lejuar që mospajtimet politike në Kuvend të barten në rrugë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button