Berisha: Sekreti i kualifikimit? Grupi i bashkuar!

Etrit Berisha është kthyer në Romë si triumfator duke tërhequr vëmendjen e mediave pranë klubit të Lazios. Gardiani kuqezi që ka tërhequr vëmendjen për paraqitjet e tij me fanellën kuqezi, ka dhënë një intervistë të gjatë për “Lazio Style Radio” ku përqëndrohet fillimisht te kualifikimi i Shqipërisë në finalet e Euro 2016. 

“Për Kombëtaren tonë, kualifikimi në europian ishte një ëndërr. Jam i lumtur sepse zhvilluam një ndeshje të mirë. Në vërshëllimën e fundit u bashkuam të gjithë në fushë për të festuar. Nuk më besohej sepse pak ditë më parë u mundëm në minutën e fundit dhe ajo disfatë na la shije të hidhur. Pas fitores së fundit nuk arrija ta kuptoja në atë moment se çfarë kishim arritur. Përpara sfidës së Armenisë skuadra ishte e tensionuar, por kur hymë në fushë u përqëndruam vetëm te ndeshja”. 

Në vijim të intervistës, Berisha përqëndrohet te puna e bërë nga trajneri. 

“De Biasi solli me vete energjinë që i mungonte Kombëtares. Ka punuar shumë në nivelin taktik dhe mendor duke e bashkuar skuadrën. Në fillim të eliminatoreve askush nuk mendonte se do t’ia dilnim mbanë por ne besuam deri në fund. Në Francë shkojmë për të dhënë maksimumin, jo thjesht për të luajtur 3 ose 4 ndeshje. Futbolli nuk është më si më parë kur 2-3 futbollistë cilësorë bënin diferencën në fushë. Tani nëse ke një skuadër që luan e bashkuar mund të fitosh ndaj çdo kundërshtari. Ne kemi luajtur në këtë mënyrë dhe morëm shumë pikë që më pas na siguruan kualifikimin në europian”.  
Tashmë Berisha e kthen vëmendjen nga Lazio ku i duhet të luftojë për vendin e titullarit me Federico Marchettin. 

“Që kur kam mbërritur këtu te Lazio jam përmirësuar shumë. Për mua është e rëndësishme të punoj me intensitet çdo ditë për të qenë në formë. Portieri ka një rol disi të veçantë sepse nuk bën pjesë në listën e ndryshimeve të trajnerit. Për të qenë një portier i zoti duhet të luash në vazhdimësi. Unë nuk arrij të luaj në vazhdimësi por jap maksimumin për Lazion dhe tifozët e këtij klubi në çdo ndeshje kur aktivizohem. Kur luaj në Olimpico më pëlqen sepse shikoj shumë njerëz të apasionuar pas kësaj skuadre. Tani jam i përqëndruar vetëm te Lazio”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button