SHTETASI I KEQ NË SHTETIN E KEQ    

Shtetasi i keq në shtetin e keq përfiton me punë të liga. Ai nuk paguan tatime, sepse është më i barabartë se të barabartët. Ai është i privilegjuar, ndonëse është pastrues parash dhe fshehës tatimesh. Ai është i mbrojtur nga ata që duhet t’ia ndjekin punët e pista, sepse ndjekësit janë jaranët e tij. Ai nuk i frikësohet policisë, sepse është bashkëpunëtor i saj. Ai nuk i frikësohet gjykatës së korruptuar, sepse është “partner” i saj.

Shtetasi i keq askund nuk pret rend. Ai gjithkund hyn i pari. Telefoni i tij është mrekullibërës. Telefoni i tij kryen çdo punë. Telefoni i tij hap çdo derë. Telefoni i tij nuk përgjohet. Përgjuesit nuk e përgjojnë vetveten.

Shtetasin e keq në shtetin e keq çdokush e ka frikë. Secili dëshiron ta ketë mik, sepse, një mik i tillë, kryen punët më të vështira. Të mundëson të përfitosh pa harxhuar mund e djersë. Me një mik të tillë nuk të duhet kurrfarë aftësie. Me një mik të tillë mund të bëhesh gjithçka që ta do loçka e shpirtit.

Shtetasit të keq nuk i duhet leje njoftimi, sepse të gjithë e njohin. Ai nuk merakoset për viza, sepse mund të ketë pasaportë diplomatike. Nuk i duhet leje vozitjeje, sepse askush nuk e ndalon. Nëse e ndalojnë këtë e bëjnë për t’u fotografuar ose për ta përshëndetur. Pastaj për çfarë do t’i duhej leja kur e vozit shoferi personal.

Shtetasi i keq mund të duket humanist, sepse punët e liga për të i bëjnë ata që veprojnë sipas urdhrave të tij. Atë mund ta shihni në aksione bamirësie. Keqbërësit kanë nevojë të duken ndryshe nga çfarë janë.

Shtetasi i keq mund të bëhet drejtor, deputet, ministër. Ai nuk ka nevojë të ketë poste. Ai ka shumë poste. I ka ngritur në poste të larta shërbëtorët e tij. Ata që kanë ambicie nuk duhet të harxhojnë net pa gjumë. U duhet të gjejnë vegzën që të bëhen të nënshtruarit e tij.

Shtetasi i keq në shtetin e keq ka disa banesa, disa shtëpi, disa vila. Ai nuk e di sa prona ka. Ai është pronari i disa firmave me drejtorë fiktivë. Ai nuk ka nevojë të paguajë. Atij çdokush i paguan nga diçka. Ai blen shumë dhe shet shumë. Nuk shet vetëm gjëra materiale, por edhe fate njerëzore. Ai bën disa herë pushime verore e dimërore. Ai nuk bën llogari dhe as nuk pyet për çmimet. Ai nuk e di sa para i ka në bankat e jashtme.

Megjithatë edhe ai është i vdekshëm.

Shtetasi i keq mendon ta sigurojnë pavdekësinë dhe të njihet si personalitet historik. Ka shumë historianë që e shkruajnë historinë siç e dëshiron shtetasi i keq. Ka shumë gazetarë që e lartësojnë me inflacione lavdesh e epitetesh. Ai mund të ketë media, që e paketojnë mashtrimin si fitore dhe gënjeshtrën sikur të ishte e vërteta absolute.

Shtetasi i keq në shtetin e keq jeton mirë në dëm të shtetasve të tjerë, që nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të bëhen shtetas të këqij nëse duan të mbijetojnë.

Shtetasit e mirë mendojnë se mjafton që të jenë të mirë, por kjo nuk mjafton. Duke qenë asnjanës, ata u shërbejnë shtetasve të këqij. Prandaj dilema: nëse vërtet janë shtetas të mirë?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button