Reshjet e shiut në Kumanovë: Banorët ankohen nga infrastruktura

Tri lagje të Kumanovës janë përmbytur si pasojë e reshjeve intensive të shiut dhe daljes nga shtrati të lumit të qytetit, transmeton televizioni 21.

Rrugë, shtëpi dhe hapësira të tjera banimi në lagjet Dardania, Bedinjë dhe Dobroshanë janë të përmbytura në ujë. Në gjendje të tillë ishte edhe Parku i Qytetit dhe një pjesë e Stacionit të Autobusëve, që pas disa orëve u pastruan nga ekipet e ndërmarrjeve komunale të ujësjellësit dhe pastrimit.

Gjendja më e vështirë ishte në lagjen Dardania, ku shumë shtëpi janë të vërshuara nga uji dhe se banorët kërkojnë ndihmë emergjente.  Nëpër rrugët e lagjes shihen dëme të mëdha materiale, kabllo të këputura të rrjetit elektrik, drunj të rrëzuar dhe dëme të tjera materiale. Niveli i ujit në lagjet e përmbytura arrin deri në 1 metër, duke mbushur bodrumet dhe katet përdhese të shtëpive me mbeturina të ndryshme. Banorët shprehin shqetësime se kjo gjendje do të shkaktojë përhapje të epidemive. Ata ankohen se nuk po pastrohet shtrati i lumit dhe problem tjetër shqetësues është kanalizimi i vjetëruar.

Kryetari i komunës së Kumanovës, Zoran Damjanovski theksoi se komuna ka formuar shtabin e krizës për të ndërmarrë masa për sanimin e dëmeve. “Nuk mundet të luftojmë kundër kësaj, kjo është pune e natyrës këto janë të reshura të mëdha të shiut dhe sipas të dhënave meteorologjike moti do të stabilizohet nga dita e mërkurë. Kemi formuar shtabin e krizës dhe do të angazhohemi për përmirësimin e gjendjes së krijuar dhe sanimin e të gjitha dëmeve“, informoi Damjanovski.

Sipas Entit Hidrometeorologjik, gjatë 24 orëve të fundit në Kumanovë, reshjet e shiut kanë arritur 70 litra ujë në metër katror, ndërsa reshjet e shiut pritet të vazhdojnë edhe gjatë dy ditëve të ardhshme.

Lajme të ngjashme

Back to top button