Përmbytjet në Shqipëri, ja rrugët dhe qytetet e bllokuara

Shirat e rrëmbyeshëm vazhdojnë në Shqipëri, ndërsa qindra rrugë në Tiranë e në rrethe janë përmbytur.

Autoriteti Rrugor Shqiptar, flet për situatën më të fundit në rrugët e vendit, ndërsa bën të ditur se prej mesnatës po punohet nga Shtabi i Drejtorisë në të gjitha akset rrugore.

“Akset kryesore janë tërësisht në funksion të plotë dhe nuk ka bllokime. Ka patur rrëshqitje dherash në disa zona, por me ndërhyrjen e drejtorive rajonale situata është normalizuar.

Segmentet më të vështira për momentin janë: Vlorë-Fushë Dukat, Ersekë-Korçë,Këlcyrë-Ballaban. Aksi Banjë -Drizë është bllokuar për faktin e rënies së dherave në rrugë, dhe është bërë devijimi nga Kaciveli,” thuhet në njoftimin e ARRSH.

Po ashtu, po pastrohet rënia e gurëve të vegjël në segmentin Gramsh – Kodovjat. Në segmentin Pajovë – Elbasan ka pasur rënie gurësh dhe bllokim të një korsie ku është ndërhyrë në orën 4 të mëngjesit dhe tani është funksionale, po në këtë segment vazhdon pastrimi i gurëve të vegjël.

Në segmentin e Durrësit ka pasur ujë në disa pjesë të autostradës, por që është ndërhyrë nga firma kontraktuese dhe është normalizuar qarkullimi.

Akset e tjera janë të kalueshme dhe po punohet. ARRSH në bashkëpunim me drejtoritë rajonale dhe emergjencat civile ndjek në terren situatën dhe është e angazhuar, për të ndërhyrë në çdo emergjencë. Ka gatishmëri në të gjitha akset

Lajme të ngjashme

Back to top button