Novakovski: Ndryshimet në kodin zgjedhor nuk i zgjidhin të gjitha problemet

Ish-kryetar i Komisionit Shteteror Zgjedhor (KSHZ), Aleksandar Novakovski vlerëson se ndryshimet në Kodin Zgjedhor, nuk do të zgjidhin të gjitha problemet, njofton REL.

“Do të zgjidhen disa probleme të caktuara, por jo të gjitha. Sa i përket frikësimit të votuesve, Kodi Zgjedhor nuk do të sjellë asgjë të re. Për këtë vlerësoj se duhet të krijohet një klimë e përgjithshme që votuesit të ndihen të lirë dhe pa ngarkesa në realizimin e së drejtës të garantuar me Kushtetutë”, theksoi ai.

Sipas ish-kreut të KSHZsë, mbarëvajtja e procesit zgjedhor varet para së gjithash nga vullneti i partive politike.

“Pa marrë parasysh se për çfarë procesi zgjedhor bëhet fjalë, apo se në cilin vend të botës mbahen ato, me rëndësi thelbësore është vullneti i partive politike. Qytetarët në të gjitha proceset zgjedhore, në veçanti në këto të fundit, në mënyrë shumë korrekte dhe me ndërgjegje të lartë, e kanë kryer obligimin e tyre. Por, krijimi i ambijentit, mbarëvajtja e procesit zgjedhor, është përgjegjësi e shtetit dhe e faktorëve tjerë, përfshirë këtu partitë politike“, deklaroi Aleksander Novakovski.

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor duhej të miratoheshin deri më 6 tetor, afat ky i vendosur nga përfaqësuesit ndërkombëtarë, por një gjë e tillë nuk është arritur për shkak të dallimeve të mëdha mes partive politike.

Lajme të ngjashme

Back to top button