Ditë e natë vjedhje në Gazi Babë!

Dukuria e vjedhjes së shtëpive në lagjen e Gazi Babës në Shkup është një shqetësim serioz për banorët. Gjatë kësaj jave, brenda një nate kanë ndodhur rreth 10 raste të grabitjeve të shtëpive. Banorët rrëfejnë se nuk kalon natë pa pasur ndonjë vjedhje dhe se ata ndjehen të pasigurt në shtëpitë e tyre.

Amet Berisha është një nga viktimat që rrëfen rastin e grabitjes së shtëpisë së tij. “Prej asaj dite, në stres jemi duke fjetur. As gjumin – gjumë nuk mundemi ta bëjmë”, thotë ai.

Disa kanë vendosur edhe kamera sigurie, alarme, mbajnë edhe qen në shtëpitë e tyre, por prapë se prapë, frika nuk u është larguar. “Po frikësohemi ne ende, përsëri po frikësohemi ne. Jemi vetëm dy pleq”, tregon një banore e lagjes.

Prej se e kanë thyer hajnat, dritarja ka vetëm mburojë prej najloni. Por nuk është kjo e vetmja shtëpi e grabitur, thotë një banore e kësaj lagje. “Nuk është e vetmja te unë këtu, por edhe në shumë shtëpi tjera. Njëherë kanë lyp pare nëpër fqinj”, rrëfen Kumrie Ali, banore e kësaj lagjeje.

Banorët apelojnë që policia sa më shpejt të ndërhyjë dhe të shtohen masat e sigurisë në lagje. Policia, nga ana tjetër, theksoi se është e njoftuar me rritjen e numrit të grabitjeve në Gazi Babë dhe se janë marrë masat për të ndriçuar rastet. “Nga veprat e kryera penale, disa janë të realizuara, e në disa ende po punohet. Edhe pse në kohët e fundit, nuk kemi rritje të vjedhjeve në këtë rajon”, informoi Liza Bendevska, zëdhënëse e policisë në Shkup.

Nga MPB-ja po ashtu informuan se janë ngritur 13 vepra penale për vjedhje për këtë lagje.

/rtv21

Lajme të ngjashme

Back to top button