Britania mbështet Kosovën

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga është takuar sot në Londër me Ministrin e Jashtëm të Britanisë, William Hague.

Presidentja Jahjaga po qëndron në Londër për të marrë pjesë në takimin e 9-të të Forumit Botëror Ekonomik Islamik (WIEF), ku do të diskutohet për çështjet e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë dhe teknologjisë, si dhe për avancimin e rolit të gruas në shoqëri. Në Forum marrin pjesë një numër i madh i personaliteteve të larta nga vendet islamike, përfshirë kryeministrin e Malajzisë, kryeministrin e Pakistanit, mbretin e Jordanisë dhe sulltanin e Bruneit.

Presidentja Jahjaga dhe sekretari Hague biseduan për zhvillimet më të fundit në Kosovë, për procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pas marrëveshjes së arritur në muajin prill, për rrugën evropiane të Kosovës, si dhe për çështjen e parandalimit të dhunës seksuale në periudha konflikti.

Presidentja Jahjaga e falënderoi sekretarin Hague për mbështetjen që Britania i ka dhënë Kosovës në marrjen e MSA, negociatat për të cilën kanë filluar dhe theksoi përkushtimin e institucioneve të vendit dhe të gjithë shoqërisë në Kosovë për të përfunduar me sukses këto negociata deri në pranverë të vitit të ardhshëm.

Jahjaga theksoi se Kosovës i duhen reformat e thella për qëndrueshmërinë e shtetit dhe të shoqërisë dhe tha se rruga evropiane e saj nuk duhet të shkurtohet pa përmbushur të gjitha obligimet.

Duke folur për zgjedhjet komunale në Kosovë, që mbahen më 3 nëntor, Jahjaga tha se ato janë test i demokracisë dhe i pjekurisë politike të Kosovës dhe prandaj është shtuar angazhimi i të gjithëve në vend për mbajtjen e zgjedhjeve të drejta, të rregullta, gjithëpërfshirëse dhe të ndershme, që do të sillnin legjitimitetin e procesit votues.

Jahjaga përmendi një numër incidentesh të vogla në pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, gjatë procesit të fushatës zgjedhore, por tha se beson se pjesëtarët e komunitetit serb do të marrin pjesë në zgjedhje në numër sa më të madh për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre legjitimë dhe legalë, që do të punojnë së bashku me autoritetet e Kosovës për të integruar këtë pjesë të vendit në jetën shoqërore e institucionale të Kosovës.

Presidentja e Republikës së Kosovës theksoi se zgjidhja e problemit në veri ka qenë një domosdoshmëri dhe vlerësoi se qeveria e Kosovës i është qasur në mënyrë konstruktive dialogut me Republikën e Serbisë për të krijuar një klimë të mirëbesimit me qytetarët serbë që jetojnë në veri të territorit të Kosovës, me qëllim të integrimit të tyre.

Ajo tha se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë duhet të zbatohet në praktikë dhe theksoi se pret nga Serbia që t’i kryejë të gjitha obligimet e saj karshi marrëveshjes, me qëllim të shtrirjes së sundimit të ligjit dhe të rendit, si dhe autoritetit të institucioneve të Kosovës në gjithë territorin e Kosovës.

Jahjaga theksoi se për të qenë i suksesshëm ky proces duhet mbështetja e Britanisë së Madhe, meqë zbatimi i marrëveshjes duhet të monitorohet nga afër, hap pas hapi deri në përmbushjen e plotë të saj, që do të sillte normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve të pavarura dhe do të stabilizonte gjithë rajonin e Evropës Juglindore.

Të dyja vendet, tha presidentja Jahjaga, duhet të ndërtojnë marrëdhënie të mira fqinjësore, të zgjidhin të gjitha çështjet ndërmjet tyre përpara se të anëtarësohen në BE.

Lajme të ngjashme

Back to top button