Nishani: Maqedonia në NATO, pavarësia e Kosovës stabilitet për rajonin

Presidenti Nishani në një intervistë të AA-së, vlerëson se Shqipëria ka një qëndrim konstant zyrtar të saj në mbështetje të anëtarësimit në NATO të Maqedonisë dhe Malit të Zi dhe shprehet se të dyja këto vende e meritojnë të jenë pjesë e kësaj organizate

Ndërkaq ai ka komentuar edhe në lidhe me pyetjen se sa të arsyeshme janë pretendimet nga Serbia për Shqipërinë e Madhe të artikuluara si akuza ndaj Tiranës zyrtare, Nishani u shpreh se historia, dhe jo shumë e largët është shumë e qartë, ku në 1913 pati një ndarje të re të kufijve në Ballkan, ku Shqipëria u nda. Mjaft shqiptarë që jetonin në trojet e tyre u lanë jashtë kufirit administrativ të Shqipërisë së sotme. Sipas Nishanit, Shqipëria e ka njohur këtë ndarje kufiri dhe nuk ka pasur kurrë një rivendikim nga ana e Shqipërisë dhe institucioneve të Shqipërisë për një rishikim të kufijve të Ballkanit dhe për marrje të territoreve  nga ana e Shqipërisë.

Presidenti i Shqipërisë e ka komentuar edhe çështjen e pavarësisë së Kosovës, “Kosova është pjesë e këtij procesi dhe Kosova nuk mund të mbetej jashtë procesit të shkëputjes nga ish-Jugosllavia. Sot ka një parim të madh demokratik i vendosjes nga shumica, parimi kryesor i demokracisë është që shumica vendos, pa dyshim që pakicat gëzojnë të njëjtat të drejta si shumica dhe duhet të jenë të barabarta në të gjitha aspektet politike, ekonomike, sociale, zhvillimore, por vendimet merren nga shumica, ky është parimi bazë i përbotshëm demokratik”, ka thënë Nishani.

Ai ka shtuar edhe në lidhje me çështjen e sigurisë dhe marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore. Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, ka nënvizuar rëndësinë e madhe që ka sipas tij procesi i Berlinit dhe vlerëson se lidershipi i Gjermanisë është fondamental dhe i pa zëvendësueshëm në këtë proces. Ai e konsideron këtë proces jo vetëm politik, por edhe si një proces që lidhet me sigurinë, dhe me zhvillimin ekonomik, pa cilat nuk mund të ketë asnjëherë një politikë stabile, dhe një politikë që ti shërbejë paqes, për me tepër në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Gjithashtu vlerëson se Ballkanit Perëndimor në të shkuarën i ka munguar jo vetëm besimi tek njëri-tjetri, por është një rajon që ka përfshi në luftëra të tmerrshme vendet dhe popujt e këtij rajoni.

“Ndaj çështja e sigurisë, e paqes dhe kultivimit të fqinjësisë së mirë përmes dialogut janë të rëndësishme. Kështu që procesi  i Berlinit, duke ofruar në radhë të parë kontekstin e qenies në kontakt dhe trajtimit të projekteve të përbashkëta zhvillimore, që ndikojnë në radhë parë tek ekonomia, por edhe tek siguria e rajonit, shpresoj të ketë një perspektivë pozitive. Rasti i projektit konkret, padyshim që është një projekt shumë i mirë, pozitiv dhe i rëndësishëm. Së pari Serbia ka një avantazh të madh sepse i krijohet një korridor i rëndësishëm i daljes në det, nga ana tjetër krijohet një mundësi komunikimi, sepse komunikimi i njerëzve e rrit besimin dhe fillon ta zëvendësojë të shkuarën e hidhur me një të ardhme optimiste dhe të orientuar tek bashkëpunimi”- u shpreh Nishani.

Nishani e thekson një projekt të rëndësishëm në kontekstin rajonal, që do t’i shërbente jo vetë ekonomisë, por edhe turizmit, në vlerësimin e Presidentit Nishani është edhe autostrada adriatiko-joninane . Ai shprehet se gjitha vendet e rajonit  të Ballkanit Perëndimor, përfshirë dhe Kroacinë, BeH, Serbinë, Malin e Zi, Kosovën, Maqedoninë, Shqipërinë, kanë potenciale reale të zhvillimit të turizmit dhe turizmi duhet të jetë një prioritet për shkak se këto vende nuk kanë një ekonomi të orientuar tek industria.

Ndërtimi i Autostradës Nish-Prishtinë-Durrës është i rëndësishëm. Ai konsideron se autostrada  Nish-Prishtinë-Durrës duhet realizuar, pasi është një projekt që sipas Presidentit Nishani ndihmon edhe Kosovën, edhe Serbinë edhe Shqipërinë. “Nga ana tjetër unë besoj që krahas autostradës do ishte po aq e rëndësishme të kishim një projekt për ndërtimin e hekurudhës nga Durrësi drejt Prishtinës, edhe drejt Beogradit, sepse kjo hekurudhë do të kishte impakt shumë të madh, jo vetëm në këto tre vende, por do të kishte një impakt në Malin e Zi, Bosnje dhe Hercegovinë, edhe në Maqedoni për ta nxjerrë atë drejt Bullgarisë, pastaj lidhur me Turqinë.

Lajme të ngjashme

Back to top button