Intervistë me shkrimtaren Lako: Zëri i gruas shqiptare shpërtheu fuqishëm pas viteve 90, mos të presim nga gratë vetëm temën e dashurisë (Video)

Natasha Lako, e lindur në vitin 1948 i takon gjeneratës së parë të shkrimtareve gra shqiptare. Krijimtaria e saj letrare ka kaluar në shumë faza dhe sfida ndër vite, ndër të cilat ka qenë edhe sistemi komunist në Shqipëri ku ajo ishte ndër të vetmet gra shkrimtare-poete. Lako është autore e disa veprave letrare ndërsa në karrierën e saj është marrë edhe me politikë ku ka qenë deputete në Parlamentin e Shqipërisë. Kontribut ka  dhënë edhe në fushën e filmit shqiptar, ka qenë drejtoresha e parë e Arkivit të Filmit Shqiptar. Ajo është skenariste e filmit “Mësonjëtorja”, film i cili ka të bëjë me hapjen e shkollës së parë së vashave, inspiruar nga historia dhe kontributi i madh i Sevasti Qiriazit. Në një intervistë për Portalb.mk ajo zbulon pjesë nga mozaiku i karrierës së saj.

Kam lindur në Korçë. Kini parasysh që ishte koha që kishte vetëm gazeta shtetërore edhe të pakta, nuk flitet fare për periudhën e televizionit në atë kohë dhe gazeta merrte një rëndësi shumë të madhe. Kështu i kujton fillimet e saja Lako.

“Unë do kujtoj një gjë të bukur, që unë i dërgoja poezitë në gazetën e vetme që ishte atëherë për letërsinë, ku punonte redaktor Ismail Kadareja dhe disa shkrimtarë tjerë shumë të mirë të cilët nuk e di pse u gëzuan aq shumë nga poezitë e mia dhe mi botonin menjëherë. Unë isha shumë e re, më dukej si çudi që ata i vendosnin në krye dhe kjo më ka ndihmuar shumë, botimi”, shprehet Lako e cila thotë se mundej të mos kishte fatin të bije në një dorë miqësore dhe të mos kishte këto mundësi.

“Mikpritja dhe fjala e mirë të bën të shkruash. Kjo ishte ndër skenat e para të krijimtarisë time.”, thotë ajo.

Duke qenë se shkrimin e filloi në një kohë ndryshe nga e sotmja dhe në moshë shumë të re, Lako thotë se në fillim nuk ka menduar për censurë.

“Nuk ka censurë në fillim, censura vjen më vonë kur ti piqesh dhe kur fillon pastaj që sheh që ata botuesit janë shumë më të mençur se ti. Në kuptimin që seç gjejnë ca dyshime. S’mund të flas unë për censurë kur shumë të tjerë kanë qenë nëpër burgje. Mund të them vetëm një rast kur isha në kulmin e suksesit të filmit “Mësonjëtorja”, kisha çuar një libër në shtyp, kisha marrë edhe pesë kopjet e para dhe më vjen lajmi që më është bllokuar libri, kishin gjetur poezi me gabime ideore që quheshin atëherë… Më hoqën katër-pesë faqe dhe më detyruan të shkruaj katër poezi tjera. Sigurisht që kjo censurë ka qenë, por unë jam çliruar përfundimisht nga kjo censurë po them pas rënies së Murit të Berlinit, merr guxim njeriu. Kur u shemb Muri i Berlinit pastaj thua po dale erdhi kjo kohë ”, thekson Lako.

Natasha Lako, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Ajo thotë se krahas poezisë edhe filmi e ka poetikën e vetë brenda. Sipas saj poezia shpesh keqkuptohet dhe nuk është vetëm për lulet, pranverën, gjelbërimin, por ajo është shumë më e thellë, sidomos për gruan.

“Kur nuk i thua dot gjërat konkretisht në poezi… në skenar ti je në një ngjarje konkrete dhe ty të tërheq aq shumë ajo, fillon të përfaqësohesh me njeriun. Kinematografia e ndihmoi shumë lirinë e gruas, pasi kur u shpik kinematografia nuk do ishte si në teatër ku buri do luante edhe rolin e gruas, ishte domosdoshmëri të futej portreti i gruas…Kështu kjo gjë më ndihmoi të krijoja disa figura historike në mënyrë konkrete. Qoftë me figurën e “Mësonjëtores” që është Sevasti Qeriazi..,mendova ta dokumentoj në një moment të thuash se ajo ishte në harresë, nuk e përmendnin shumë. E bëra këtë që ta dijnë njerëzit se kemi këto figura historike. Filmi është art por edhe është dokument”, theksoi Lako.

Vepra nga Natasha Lako, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Duke qenë se e ka përjetuar sistemin komunist, Lako thotë se pas viteve 90 ka pasur një shpërthim sidomos të zërave femëror, pasi më përpara ata numëroheshin në gishta.

“Më përpara ishte Musine Kokalari, por ne nuk e njihnim, ajo censura e tmerrshme, ne nuk e dinim se ekzistonte, ishte faji i asaj shoqërie që ne nuk e dinim. Pas 90 kanë dalë shumë zëra femëror. Mund të them që është koha e zërit femëror në poezi. Duhej të vinte kjo kohë. Pas 90 nuk mund ta mendoja se do të kishte kaq dhunë për gruan, ngandonjëherë njeriu mendon se po të ndryshojë një sistem, rregullohen menjëherë me një të rënë të lapsit gjërat. Në fakt përsëri ka shumë probleme”, nënvizon Lako.

Vepra nga Natasha Lako, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Nuk duhet të trembemi nga fjala pavarësi, thotë Lako, pasi “po të trembeshim nga fjala pavarësi, nuk kërkonim as pavarësinë e Shqipërisë, as të drejtat e shqiptarëve jashtë Shqipërisë. Deri sa ne nuk jemi të trembur për të gjetur të drejtat tona si komb, nuk ka pse të trembemi nga pavarësia e gruas”.

Lako thekson se nga gratë në letërsi nuk duhet të presim vetëm temën e dashurisë, pasi e njëjta është për të gjithë.

Mesazhi që Lako përcolli për të gjithë lexuesit tonë është që “Gjuha shqipe ka aq forcë, bukuri, thellësi që në këngët e djepit, martesave. Nënat shqiptare janë poetet e para edhe që të jesh me poezinë shqipe, je me veten tënde, je me gjuhën dhe ëndrrën tënde… Sa më shumë të respektosh gjuhën tënde, aq më shumë do lexosh. Zhgënjimet, ëndrrat duhet shprehur në një vend se ndryshe çfarë do ishim, ku do ishim… Këto do t’i shprehim vetëm nëpërmjet artit dhe leximit me shkrim”.

Natasha Lako, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Përndryshe, disa nga titujt e Lakos janë: “Marsi brenda nesh”, “E para fjalë e botës”, Këmisha e pranverës”, “Yllësia e fjalëve”, “Natyrë e Qetë”, “Stinët e jetës” dhe të tjera.

Rrëfimin e plotë të Lakos e gjeni në videon më poshtë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button