Komisionet kuvendore shqyrtuan raportin e KE-së

Këshilli kombëtar për eurointegrime dhe komisionet për çështje evropiane, për sistem politik dhe marrëdhënie midis bashkësive dhe komiteti për marrëdhënie midis bashkësive debatuan për progres raportin e KE-së.

Sipas debatuesve, sundimi i të drejtës, pavarësia e gjyqësorit, lufta kundër krimit dhe korrupsionit, implementimi i Marrëveshjes së marsit, Marrëveshjes së Ohrit, rekomandimet e OSBE-së dhe ODIHIR-it, janë vetëm disa nga pikat ku Maqedonia duhet të përkushtohet me më shumë seriozitet, pa lënë anësh edhe angazhimin për zgjidhjen e çështjes së emrit.

  “Ky është një dokument që e ka hartuar Komisioni Evropës, të cilin e kemi shkruar ne, por do të shërbej si dokument pune i cili do të shikohet përpara dhe atë qasje do e kemi. Ne me admirim i shikojmë pjesët ku shënohet se ka pasur progres, mirëpo me përkushtim edhe më të madh dhe me vëmendje edhe më të madhe pjesët ku apelohet apo rekomandohet punë më tepër për periudhën që vjen, me afate të caktuara dhe institucione të caktuara përkatëse. Dua të them që dokumenti në fakt e mban rekomandimin për datë me shumë detyra shpie për ne këtu”, deklaroi Fatmir Besimi,  zv/kryeministër për euro-integrime.

 Jani Makraduli nga LSDM-ja e krahasoi procesin euro-integrues të vendit me atë të shteteve fqinje.

“Nga viti 2005, kur Maqedonia fitoi statusin kandidat, as Kosova, as Serbia e as Mali i Zi nuk ishin shtete të pavarura, shikoni ku janë ata, shikoni ku jemi ne! A nuk e vret ndërgjegjja shumicën parlamentare apo të ndjejë xhelozi se si të gjitha vendet e rajonit shkojnë përpara drejtë axhendës evropiane. Zoti Fyle në fjalimin e tij nuk e përmendi fjalën “progres”, zoti Orav theksoi fjalën “implementim”. A ka fuqi ky parlament i cili ka humbur kredibilitetin, që të flasë për gjërat themelore, për prioritetet dhe implementimet”, tha Jani Makraduli,  LSDM.

“Maqedonia nuk bëri asgjë, nuk punoi gati në asgjë që të përmirësonte kushtet e saj në mënyrë që të bëhet anëtare e BE-së. Qytetarët  nuk kërkojnë arsyetime dhe as justifikime, por qytetarët kërkojnë rezultate. Sa më afër BE-së të jetë një shoqëri apo një shtet, aq më demokratike është ajo, dhe deficiti demokratik është element që një shoqëri apo një shtet e largon nga ky proces, gjegjësisht e çon drejt izolimit”, u shpreh  Merale Uzairi-Ferati, PDSH.

“Konsideroj se Maqedonia vazhdon t’i përmbush kriteret politike për anëtarësim në BE në masë të mjaftueshme dhe se agjenda e BE-së edhe më tej mbetet prioritet strategjik dhe synim për gjithë vendin tonë. Vëmendje e veçantë duhet t’i përkushtohet prioriteteve reformuese në vitin e ardhshëm dhe duhet të kemi zbatim  efikas  dhe zbatim të ligjeve dhe politikave ekzistuese”, theksoi  Hajrulla Misini, BDI.  

Raporti i Progresit u shpall para opinionit dy javë më parë, më 16 tetor.

Lajme të ngjashme

Back to top button