Edi Rama: Të fitojë imazhi i Shqipërisë europiane

Kryeministri Edi Rama ka gjetur momentin për të dhënë një mesazh shqiptarëve në lidhje me ndeshjen me Serbinë. Në një postim të tijin në Facebook, numri një i ekzekutivit shqiptar e etiketon përballjen e 8 tetorit një sfidë për historinë, por jo vetëm në aspektin sportiv.

Pasi fton të gjithë shqiptarët për ta ndjekur takimin në parkun e Kryeministrisë në një projektor gjigand, Rama kujton se të gjitha opsionet e mundshme të rezultatit lënë gjithchka të hapur por në fakt me një pasaktësi për sa i përket llogarive të ftohta matematikore.

Në postimin e kryeministrit shkruhet se fitorja na con direkt në Francë 2016, ndërkohë që dicka e tillë mund të ndodhë vetëm nëse njëkohësisht Danimarka nuk arrin të fitojë përballë Portugalisë, ndërsa më pas nënvizon se barazimi është një tjetër hap drejt Europianit, ndërsa humbja lë gjithshka të hapur. Gjithsesi i rëndësishëm është mesazhi që përcjell kryeministri i vendit i cili shkruan.

“Por mbi të gjitha, duhet të fitojë imazhi i Shqipërisë mikpritëse, dinjitoze, europiane, në një ndeshje futbolli ku e tërë bota perveç nesh, nuk do të shohë rezultatin e ndeshjes po mbarëvajtjen e takimit të kthimit në Shqipëri, një vit pas shpërthimit të dhunshëm në fushën e Beogradit. Prandaj le të nderojmë traditën shqiptare dhe ambicien europiane, duke dhënë një provë bindëse se ky është vendi i të ardhmes jo fushëbeteja e të shkuarës.”

Një mesazh i qartë nëpërmjet të cilit kryeministri Rama ju kujton shqiptarëve rëndësinë e jashtëzakonshme që ka një ndeshje e tillë jo vetëm në aspektin sportiv pasi cdo incident do te cenonte jo vetëm Kombëtaren Kuqezi por edhe për ambiciet e vendit tonë për integrimin Europian.

Lajme të ngjashme

Back to top button