ANALIZË: Pritshmëritë nga Prokurori Special janë të mëdha

Pritshmëritë nga Prokurori Special, Katica Janeva janë të mëdha. Maqedonia është ndër vendet e vetme post-komuniste ku nuk ka funksionarë të lartë të gjykuar për vjedhje ose keqpërdorim detyre, që vetvetiu flet për suksesin tonë si shoqëri në luftën ndaj krimit, shkruan në analizën e Qendrës për Demokraci dhe Zhvillim, transmeton Portalb.

Më tej në analizë thuhet se pa procedim të rasteve ku funksionarë të lartë shtetërorë janë të inkriminuar në krim, vështirë se mund të fillohet procesi i dekriminalizimit të skenës politike dhe të shoqërisë në përgjithësi në Maqedoni.

“Sugjerimet, kritikat dhe vërejtjet kanë qenë të shumta ndaj Maqedonisë në raporte e analiza të shumta si të vendit ashtu edhe ndërkombëtare. I tillë ishte edhe Raporti i Rajnhard Pribe-s, në të cilin u evidentuan vërejtje të shumta për krim dhe korrupsion në pushtet, si dhe kritika të ashpra për skandalin e përgjimeve. “shkruan mes tjerash në analizën e Qendrës për Demokraci dhe Zhvillim, transmeton Portalb.

Në raportin e Pribe-s theksohej se pushteti dhe funksionarë të tij janë inkriminuar direkt në aktivitete të paligjshme, mashtrime në zgjedhje, korrupsion, keqpërdorim të pushtetit, shantazh, presione ndaj punonjësve të administratës publike që të votojnë për një parti të caktuar, abuzim me prokurimet publike. Gjithashtu theksohej se DSK-së duhet t’i zvogëlohen autorizimet dhe se skandali i përgjimeve kishte rrjedhur pikërisht nga ky institucion.

“Duket se sfidat që e presin Prokurorin Special deri në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në prill të vitit 2016 do jenë të mëdha kryesisht sa i përket veprimit të pavarur nga presionet politike si dhe sfidat nga gjyqësori jokredibil i cili vazhdimisht kritikohet në të gjitha raportet ndërkombëtare. ”shkruan në analizën e Qendrës për Demokraci dhe Zhvillim.

Krizën aktuale politike në Maqedoni e shkaktoi vet politika duke e viktimizuar drejtësinë dhe gjyqësorin, dhe nga politika pritej përmirësimi i situatës. Në raste krizash politike, fokusi primar gjithnjë është tejkalimi i krizës politike dhe normalizimi i situatës. Dhe vetëm pas arritjes së marrëveshjes politike, mund të mendohet rreth rregullativës ligjore që do e mundësojë zbatimin e asaj marrëveshje, transmeton Portalb.

Mes tjerash, rasti “Monstra”

Meqë Prokurori Special ende nuk ka filluar me punë, ende nuk dihet saktësisht se cilat raste do i përfshijë në hetim. Gjatë aferës së përgjimeve, lideri i LSDM-së disa herë pat potencuar se ka materiale të cilat lidhen me rastin ‘’Monstra’’ të cilat nuk i publikoi.

Të gjitha materialet nga telefonatat e përgjuara do i dorëzohen Prokurorisë Speciale për hetim, mirëpo nuk dihet nëse kjo prokurori do nisë hetim për këto procese gjyqësore, për të cilat opinioni publik shqiptarë është jashtëzakonisht i interesuar. Anashkalimi i këtij rasti gjyqësor nga Prokurori Special, do e kishte zbehur besimin e saj në sytë e popullatës shqiptare, transmeton Portalb.

Lajme të ngjashme

Back to top button