Zaev: Përndjekja e Shipoviqit do ti bllokojë institucionet

Përndjekja e kryetarit të Këshillit komunal në Qendër Mirosllav Shipoviq, do të shkaktojë bllokim të institucioneve dhe krizë të re politike. LSDM-ja opozitare paralajmëroi se do ti bojkotojë të gjitha institucionet, përveç Kuvendit, nëse nuk anulohet masa e paraburgimit për kryesuesin e këshillit komunal. Kjo sipas liderit të LSDM-së Zoran Zaev, do të jetë vetëm masa e parë.

“Nëse nuk anulohet masa e paraburgimit për Shipoviqin, do të vijojë reagimi ynë i parë: LSDM-ja tanimë pushoi pjesëmarrjen në Komisionin parlamentar për implementimin e konkluzave të Komisionit për 24 dhjetorin. Kryetarët e komunave nga LSDM-ja nuk do të marrin pjesë në aktivitetet e BNjVL-së. Këshilltarët e LSDM-së në të gjitha këshillat komunale në shenjë solidarizimi me kolegët nga Qendra, nuk do të marrin pjesë në seancën e parë të rradhës në Komunat e tyre” tha Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.

Akuzat kundër Shipoviqit, Zaev i vlerësoi si skenar për marrjen nën kontroll të këshillit komunal në Qendër.

“LSDM-ja nuk do të lejojë që Nikolla Gruevski dhe VMRO DPMNE me dhunë institucionale të marrin kontrollin mbi Komunën Qendër. Pas dështimit të torturës zgjedhore, tani ata janë në sulm tjetër. Përmes procesit të montuar politik të shkelin vullnetin e qytetarëve” tha Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.

Mirosllav Shipoviq aktualisht është në udhëtim privat në SHBA. Ai pritet të kthehet gjatë ditës së nesërme, ndërsa sipas paralajmërimeve në aeroport do ta presin prangat policore. Edhe pse gjatë ditës së djeshme kishte paralajmërime se Shipoviq do të pritet nga opozita me protesta në aeroport, Zoran Zaev sot nuk përmendi protesta, e as pritje të Shipoviqit.

Lajme të ngjashme

Back to top button