Erdogan: Rusia ka bërë “gabim të madh” në Siri

Veprimet ruse në Siri nuk janë të pranueshme për Turqinë, iu tha Presidenti Recep Tayyip Erdoğan gazetarëve të dielën, raporton Anadolu Agnecy (AA).

Duke folur në Aeroportin Ndërkombëtar Esenboga në Ankara para se të nisej për në Francë, Erdoğan tha: “Për fat të keq, Rusia tani ka bërë një gabim të madh dhe unë kam përshtypjen se ky hap do të jetë një shenjë e cila do të çojë atë (Rusinë) drejt një izolim rajonal”.

Rusia filloi sulmet ajrore të mërkurën për të forcuar regjimin e presidentit Bashar al-Assad. Moska këmbëngul se sulmet kanë për synim DAESH-in dhe grupet tjera terroriste, por vendet perëndimore dhe aleatët e tyre të Gjirit besojnë se kundërshtarët e moderuar të Asadit dhe civilët janë duke përjetuar dëmet e bombardimeve ruse.

Erdoğan pyeti: “Çfarë është duke u përpjekur Rusia të arrijë këtu? Aty është Asadi që kryen terrorizëm shtetëror dhe për fat të keq si Rusia ashtu edhe Irani mbështesin këtë person”.

“Vendet që po bashkëpunojnë me regjimin do të japin llogari përpara historisë”.

Erdoğan pyeti se sa është numri i refugjatëve që janë strehuar në Rusi dhe Iran. Turqia ka mirëpritur refugjatët sirianë që nga fillimi i luftës civile në mars të vitit 2011 dhe kujdeset për rreth dy milion refugjatë.

“Deri tani, kemi shpenzuar 7.5 miliardë dollarë”, tha Erdoğan, duke shtuar se është “detyrë e ndërgjegjshme” e Turqisë.

Presidenti i Turqisë përsëriti nevojën e një zone të sigurt që do të krijohet në veri të Sirisë, por shtoi se: “Është e detyrueshme që të ketë zonë të ndalim fluturimit. Përndryshe, kjo do të ishte një zonë e hapur për vdekje”.

– Programi “trajno dhe pajis” për opozitën siriane-

I pyetur në lidhje me vërejtjet e Presidentit amerikan, Barack Obama rreth programit “trajno dhe pajis” për grupet opozitare siriane, Erdoğan tha: “Jemi në zjarr, jemi duke bërë më të mirën tonë”. Ai gjithashtu shtoi se Turqia do të vazhdojë me programin dhe do të vazhdoj luftën kundër DAESH-it.

SHBA kohët e fundit pezulluan programin “trajno dhe pajis” për grupet opozitare siriane pasi që disa forca të trajnuara kishin dezertuar.

– Zgjedhjet në Turqi-

Erdoğan tha: “Unë shpresoj se ne nuk do të përjetojmë trishtim, siç përjetuam më 7 qershor në rajon gjatë zgjedhjeve të fundit. Nëse sërish përjetojmë, atëherë YSK (Bordi i Lartë Zgjedhor i Turqisë) do të jetë përgjegjës për këtë. Sepse kushtet janë të qarta”.

Janë shprehur disa shqetësime në lidhje me sigurinë e numërimit të votave në disa pjesë në lindje dhe juglindje të Turqisë, për shkak të përleshjeve të vazhdueshme midis ushtrisë turke dhe PKK-së.

Zgjedhjet e reja të përgjithshme më 1 nëntor do të mbahet pesë muaj pas zgjedhjeve të 7 qershorit që rezultuan pa asnjë parti fituese me shumicën absolute.

 Sulmi ndaj gazetarit të njohur turk-

“Sa i përket kësaj çështje, ne kemi thënë tashmë se gjithmonë jemi kundër dhunës,” tha Erdoğan.

Më 1 tetor, Ahmet Hakan, një kolumnist i gazetës Hurriyet Daily dhe prezantuesi televiziv i rrjetit CNN Turk, është sulmuar nga katër sulmues para hyrjes në banesën e tij në rezidencën Nisantasi të qarkut Sisli të Stambollit.

“Incidente të tilla janë të pa pranueshme, por këta miq duhet të shmangin shkrimet që synojnë dhe mallkojnë opinionistët tjerë”, tha Erdoğan.

Lajme të ngjashme

Back to top button