Nishani: Letra e Brahos i drejtohej Kryeministrit

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, konfirmoi ekzistencën e letrës së dërguar nga kryetari i Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho, për rrezikun e destabilizimit të vendit.

Gjatë jë interiste të dhënë për emisionin “Tonigt me Ilva Taren”, Nishani tha se shkresa i është adresuar direkt Kryeministrit Rama dhe Presidentit, e kryetarit të Kuvendit i është vënë për dijeni.

Presidenti tha se ia ka kaluar menjëherë letrën kryeprokurorit, Adriatik Llalla dhe shefit të SHISH, Visho Ajazi Lika, për ta verifikuar.

“Është e vërtetë që unë kam marrë një letër nga zoti Spartak Braho, në cilësinë e kryetarit të Komisionit të Sigurisë Kombëtare në Kuvend. Më duhet të bëj një sqarim që letra nuk i është dërguar as Presidentit dhe as kryetarit të Kuvendit. Por i është dërguar për dijeni Presidentit dhe kryetarit të Kuvendit. Letra i është drejtuar Kryeministrit për arsye që përmban letra, që Qeveria dhe Kryeministri të veprojnë për të marrë masa për ato që janë renditur në atë letër.

Letrën e kam marrë ditën e hënë, rreth mesditës. Një ditë para se të takoja zotin Meta, takim që e kisha programuar disa ditë më parë. Ditën e djeshme (të martën), unë si kryetar shteti ia kam adresuar për veprim prokurorit të Përgjithshëm, shefit të SHISH”, theksoi Nishani.

I pyetur për përmbajtjen e shkresës, Presidenti tha se nuk mund të fliste për të për sa kohë që çështja është në hetim. Por ai theksoi se për momentin nuk ka rrezik për destabilizimin e vendit. “Kërkesa e zotit Braho i është drejtuar drejtpërdrejt Kryeministrit, i cili ka tagrin institucional për të marrë të gjitha masat që kërkohen në këtë letër. Unë nuk besoj që momentalisht të kemi ndonjë shqetësim që të cenojë sigurinë kombëtare. Unë besoj te forca dhe tek efikasiteti i ligjit në Shqipëri. Jam i bindur që çdo gjë me vullnet dhe me profesionalizëm mund të hetohet”, u shpreh Presidenti.

Duke folur nëse ishte me vend për të mbledhur Këshillin e Sigurisë, Nishani tha se po të kishte elementë që do cenonin sigurinë kombëtare, do ta kishte mbledhur këtë Këshill. Kreu i shtetit u shpreh se nuk do të thërriste Kryeministrin Rama për shkresën e Brahos, por nëse “shefi i qeverisë do të ketë nevojë për konsultime, do të jetë i mirëpritur”.

Nishani konfirmoi se në shkresën e Brahos flitet edhe për skandalin e CEZ, dhe ai theksoi se kjo çështje duhet të zbardhet me një hetim ndërkombëtar.

“Unë besoj se iniciativa e ndërmarrë së fundmi nga dy grupet
parlamentare, të PD-­së dhe LSI­-së, jam shpresëplotë se do të
mbështetet dhe nga Grupi i PS­-së në mënyrë që t’i hapin rrugën një procesi transparent hetimi, që duket se është një çështje shumë e rëndësishme, politike dhe ekonomike”, u shpreh ai.

Lajme të ngjashme

Back to top button