USHT e shënoi Ditën Botërore të Zemrës
Studentët e Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë të Universitetit Shtetëror të Tetovës e shënuan Ditën Botërore të Zemrës. Nën moton ,,Për një zemër të shëndoshë”, njofton Portalb.
Grupi shkencor i studentëve të Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë në bashkëpunim me Parlamentin Studentor të USHT-së në sheshin Iliria të Tetovës organizuan punktin ku bënë kontrolle falas për qytetarët. Kryetari i Parlamentit Studentor të Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë të USHT-së, Blerim Rustemi tha se për dallim nga vitet tjera, ku veç punktit kemi organizuar edhe marsh në rrugët e qytetit, këtë vit vendosëm që të kryejmë sa më shumë kontrolle falas për qytetarët.
“Këtë vit e kemi parë të arsyeshme që në sheshin Iliria në Tetovë të organizojmë punktin për të bërë kontrolle falas për qytetarët. Fillimisht është bërë marrja e anamnezës, matja e glukozës, matja e shtypjes së gjakut, si dhe disa kontrolle për ekzaminime orale dhe më pas, qytetarët kanë pasur konsultime me mjekët tanë të rinj, të cilët kanë diplomuar në Fakultetin e Shkencave të Mjekësisë të USHT-së”, tha Blerim Rustemi.
Aktivitetin e studentëve e përshëndeti edhe dekani i Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë, Prof. dr. Nasir Bexheti, i cili tha se vetëm në këtë mënyrë qytetarët do të mund të informohen mbi sëmundjet kardiovaskulare dhe shëndetin në përgjithësi. “Qëllimi i këtij organizimi është sensibilizimi i popullatës mbi sëmundjet kardiovaskulare, si dhe të shpërndahen broshura me material propagandues për rruajtjen e shëndetit”, tha dekani i Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë të USHT-së, Prof. dr. Nasir Bexheti.
Nga Grupi shkencor i studentëve të Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë dhe Parlamenti Studentor theksuan se gjatë kësaj jave, respektivisht ditën e enjte, në amfiteatrin e Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë do të mbahet edhe një ligjëratë kushtuar sëmundjeve kardiovaskulare, me ligjërues mjekun nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Prof. dr. Endi Sanders.