Botohet libri që i quan shqiptarët vrasës, reagojnë ashpër shoqatat

Shoqata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe Shoqata e Kulturës Shqiptare në Maqedoni, përmes një reagimi kanë shprehur indinjatën e tyre kundër gjuhës së urrejtjes të përdorur në librin “Македонците во Тетове од ала турка до ала франга”, që në shqip do të thotë “Maqedonët e Tetovës, prej alla turka deri në alla franga”, transmeton Alsat M.

Sipas tyre ky libër është shkruar pa baza historike, ku shqiptarët me shkronja të mëdha i paraqesin vrasës dhe ushtrues të gjenocidit në Tetovë dhe gjetiu.

Autori i librit të historisë ku shqiptarët e Tetovës dhe Gostivarit paraqiten si vrasës të maqedonasve është aktualisht drejtor i Muzeut të VMRO-së. I njëjti në këtë post është emëruar nga qeveria VMRO-DPMNE – BDI.

Më poshtë mund ta lexoni reagimin:

“Në emër të shoqatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe Shoqatës së Kulturës Shqiptare në Maqedoni reagojmë ashpër kundër gjuhës së urrejtjes dhe nxitjes të çfarëdo lloj konflikti në baza etnike dhe fetare.

Ditë më pare në Republikën e Maqedonisë u botua libri: “ MAKEDONCITE VO TETOVO OD ALA TURKA DO ALA FRANGA “ autor i së cilës është historiani Branislav SVETOZAREVIÇ (Drejtor i muzeut të luftës nga pavarësia maqedonase), libër i sponsoruar nga Ministria e Kulturës së R. së Maqedonisë duke shkruar pa baza dhe pa të dhëna historike, por me të dhëna tronditëse, ku shqiptarët me shkronja të mëdha i paraqet vrasës dhe ushtrues të gjenocidit në Tetovë dhe gjetiu.

Kjo gjuhë nacionaliste dhe diskriminuese e këtij historiani maqedonas, pas luftës së 2001-të dhe ngjarjeve të fundit në Kumanovë po nxitë urrejtjen mes dy etnikumeve më të mëdha në vend.
Ndihemi tepër të ofenduar, të shqetësuar dhe të provokuar nga vetë Qeveria e Maqedonisë e cila në shumë raste po provokon durimin e qytetarit shqiptar.

Shqiptarët mbeten me shpresë që me ndikimin e tyre së shpejti do të kemi një shtet qytetarë ku do të sundoj ligji dhe drejtësia. Shtet i barabartë për gjithë qytetarët e saj.

Andaj kërkojmë që Kryeministri të shkarkoi ministren Kançevska dhe publikisht t’i kërkojë falje publike mbarë popullit shqiptarë duke e demaskuar urrejtjen që e ka ndaj shqiptarëve”.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button