Ramadani: Kështu luajnë vetëm ekipet e mëdha

Skuadra e FC Shkupi ka marrë edhe një fitore tjetër në transfertë dhe vazhdon të mbetet në mesin e pesë ekipeve më të mira të kampionatit të Maqedonisë. Fitorja ndaj Mlladostit (0:2), ka lënë në harresë shumë shpejtë disfatën nga Sileksi, ndërsa nga klubi thonë se kjo ka treguar se skuadra edhe kur ka mungesa është e fortë dhe kompakte dhe se disfata nga Sileksi ishte e rastit.

Gëzimin e tij nuk e ka fshehur as trajneri Zekirija Ramadani, i cili mes tjerash ka thënë se nuk ka shumë kohë për festë, pasi kjo javë është shumë e ngjeshur, duke e ditur se do të luhen ndeshjet e para të 1/8 të Kupës së Maqedonisë dhe në fundjavë luhen ndeshjet e javës së nëntë.

“Vërtet jam shumë i kënaqur nga loja që treguan futbollistët e mi. Kemi treguar se jemi në formë të mirë dhe se disfata nga Sileksi ishte e rastit e që jemi kthyer me fitore, që e bëjnë vetëm ekipet e mëdha. I përgëzojë futbollistët dhe falënderoj tifozët e tanë “Shvercerat” të cilët edhe pse në numër të vogël, por na dhanë shpirt për të qëndruar të fortë deri në fishkëllimën e fundit. Na pret një javë e ngjeshur pasi që kemi edhe ndeshjen e Kupës së Maqedonisë dhe në fundjavën që vjen do të luajmë me Shkëndijën, andaj kemi shumë punë për të bërë, e pak kohë për të festuar”, është shprehur trajneri Zekirija Ramadani.

Me këtë fitore Shkupi ka vazhduar të mbetet në mesin e tabelës, (pozita e 5-të), tani me 11 pikë të grumbulluara, ndërsa ndeshja e radhës luhet në Çair kur Shkupi do të jetë nikoqire e liderit të tabelës Shkëndijës së Tetovës, por para asaj të mërkurën (30.09.2015), Shkupi udhëton për në Koçan ku do të luajë ndeshjen e kupës së Maqedonisë kundër Bregallnicës së Shtipit. / Portalb /

Lajme të ngjashme

Back to top button