Sot filloi dita, “Tirana pa makina”

Bashkia e Tiranës e ka publikuar agjendën e aktiviteteve që do të zhvillohen gjatë ditës së sotme (22 shtator), në Ditën Ndërkombëtare pa Makina. Në një deklaratë për mediat, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku, që nga dje i ka prezantuar aktivitetet që do të mbushin hapësirën e Unazës së Vogël, në sheshin Skënderbeu, si dhe u bëri thirrje qytetarëve të Tiranës që të përdorin mjetet alternative të transportit, veç automjeteve të tyre.

“Unaza e Vogël do të jetë e mbyllur për automjetet. U lutemi të gjithë qytetarëve që, jo vetëm në këtë hapësirë, por në të gjithë qytetin, 22 shtatorin ta kthejmë ashtu siç bëhet në shumicën e kryeqyteteve evropiane, një ditë që ne ia kushtojmë lëvizjes pa makina”, deklaroi Mazniku. Në thirrjen drejtuar qytetarëve, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës kërkoi që ata të mos i përdorin mjetet e tyre, por të lëvizin me transport publik, të ecin ose të pedalojnë, transmeton Kohajone.

“Lëvizja pa makina është një çështje e mundshme, në fund të ditës secili do të jetë i kënaqur që e ka bërë këtë, sepse do kemi mundësi ta gëzojmë qytetin ndryshe. Ndaj, nesër mos i merrni automjetet tuaja, mos lëvizni me makina, por ecni, përdorni mjetet e transportit publik apo biçikletën”, tha Mazniku. Gjithashtu, ai shpjegoi detajet për rrugët që do të bllokohen në 22 shtator, për t’i krijuar mundësi që sheshi Skënderbeu t’iu kthehet për një dtë qytetarëve.

Në hapësirën brenda Unazës së Vogël aktivitetet do të nisin prej orës 7:00 të mëngjesit deri në 22.00 të mbrëmjes. Për të informuar qytetarët, Bashkia e Tiranës ka publikuar agjendën e plotë të aktiviteteve, si dhe vendin ku do të zhvillohen ato.

 

 

 

Lajme të ngjashme

Back to top button