Dade-Islami sherr në Kuvend, opozita ankohet se letra e Ramës për ministrat ofendoi turqit

Mbledhja e djeshme e Komisionit parlamentar për Punët e Jashtme ka sjell debate, akuza dhe përplasje mes deputetëve të mazhorancës dhe atyre të opozitës. Teksa ishte thirrur ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, për të raportuar mbi situatën në Kosovë, pati përplasje të ashpra mes kryetares së komisionit, Arta Dade dhe deputetëve demokratë, Kastriot Islami e Aldo Bumçi. Ata tentuan të bëjnë pyetje jashtë rendit të ditës dhe kjo solli edhe debatet, duke mos munguar as fyerjet, pasi Islami ju drejtua Dades duke e cilësuar si arrogante, ndërsa përgjigja e saj ishte: “Arrogantë u treguat ju duke mos ju përmbajtur një marrëveshje xhentëlmenësh.

Ne thamë e kemi për këtë çështje. Unë jam brenda rregullores”. Nga ana e tij zoti Islami kërkoi fjalën që t’i bënte pyetje ministrit Bushati, por hasi më pas në rezistencën e kryetares së komisionit. “Unë nuk i kërkova ministrit të fliste jashtë rendit të ditës. Ai në fakt doli vetë aty. Unë nuk i përcaktoj ministrit se çfarë do të thotë”, deklaroi Islami, duke u përplasur disa herë me Daden për të marrë fjalën, por që nuk foli dot. Një debat i ngjashëm u zhvillua edhe mes Dades dhe Bumçit, pasi ky i fundit i drejtoi pyetje ministrit mbi aktualitetin politik në vend, si Samitin e Vjenës, raportin e OSBE, apo emaili-n që kryeministri u kishte dërguar disa ditë më parë ministrave. “Ju thashë që në fillim fare që, qëllimi i mbledhjes kishte të bënte me çështje specifike. Meqenëse ju u zgjeruat me çështje që nuk kanë të bëjnë me Kosovën, kjo tregon dhe paaftësinë tuaj për të kërkuar ministrin për çështje specifike, të cilat i përfshitë të gjitha në një thes. Ishte e udhës të kishit bërë kërkesë dhe jo të përfitonit nga momenti që është ministri këtu”, tha Dade, transmeton Sot.com.al.

Përplasje për letrën e Ramës

Deputeti demokrat, Aldo Bumçi, ka lëshuar dje akuza në drejtim të ministrit Ditmir Bushati, por edhe qeverisë. Emaili-n që kryeministri Rama u dërgoi ministrave pak ditë më parë, Bumçi e cilësoi si një turp, duke thënë se ka qenë një fyerje për Turqinë. “Kryeministri ju drejtohet edhe ju: Ose vrisni turkun brenda jush, aleatin tonë strategjik, një gafë e jashtëzakonshme, ose hidhuni nga anija. Zoti ministër ju cilën do të zgjidhni, do vrisni turku, aleatin strategjik, apo do hidheni nga anija. Këtë e lidh me autoritetin e Shqipërisë para botës. Një kryeministër që i drejtohet anijes në këtë mënyrë, që thotë vrisni turkun, aleatin strategjik. Ka takuar kryeministrin Erdoan tre herë në dy muaj dhe pastaj thotë vrisni turkun. Ku ka seriozitet këtu. Si mund të merret seriozisht një vend i tillë”, deklaroi Bumçi. Vetë ministri Bushati nga ana e tij nuk u ndal aspak te kjo çështje, por deklaroi se Turqia është mes vendeve strategjike të Shqipërisë. “Nuk kam dëshirë që të nxjerr këtu muhabete që përgjithësisht dalin nga partia juaj.

Pyesni njerëz në partinë tuaj dhe në Presidencë për raportin e bashkëpunimit Shqipëri-Turqi. Sa herë do të sillni këtë çështje në vëmendje, po Turqia së bashku me Italinë dhe Greqinë është partner strategjik. E vlerësoj dëshirën tuaj për detin. Por për partneritetin me Turqinë dhe detin, pyesni partnerin tuaj të deleguar në krye të partisë”, tha Bushati. Në komision u diskutua edhe për përplasjet mes Ministrisë së Jashtme dhe Presidentit për ambasadorin në OSBE.

Lajme të ngjashme

Back to top button