Sakrifica dhe solidariteti social

Këtyre ditëve po presim një festë që shpërfaq kulturën shpirtërore të myslimanëve, të një pjese të mirë të shqiptarëve, Bajramin e Vogël apo të Kurbanit, të sakrificës për hir të Zotit në të mirë të të afërmve, varfanjakëve, komunitetit, njerëzimit. Kurbani është një term i rëndësishëm i botëkuptimit fetar që i ka rrënjët në historinë e lashtë, te Habili dhe Kabili, dhe te profeti Ibrahim, dhe që atëherë kafsha, që si gjithë gjësia jashtë hyjnore, bëhet fli me qëllim të të treguarit të nënshtrimit ndaj Perëndisë dhe të aktit të shpërndarjes, të dhurimit të asaj që është vetjake, në të cilën ka hak edhe tjetri. Pra, fundi i pelegrinazhit (haxhit), i cili përbën një vendtakim madhështor të multikulturalitetit dhe shumëracësisë, dhe falja e bajramit pasohen nga një veprim i besimtarëve të kamur ekonomikisht anekënd botës, therjen e një bagëtie që përbën benefit kolektiv, që e mbyt egoizmin dhe kultivon altruizmin. Mund të thuhet se kurbani ka dy përmasat e veta, atë vertikale, e lidh njeriun me Krijuesin, e përforcon këtë relacion, e shpreh përkushtimin e robit ndaj të Plotfuqishmit dhe përmasën horizontale, e forcon solidaritetin social, e bën shoqërinë që për një çast, brenda disa ditëve të trazohet nga shtytjet djallëzore për vetjakëri, të integrohet e të shënojë shkallë të lartë të kohezionit. Islami e ka shpëtuar njeriun nga traditat mitologjike rrëqethëse të sakrifikimit-kurbanizimit të njeriut (kanibalizmi tibetas, sakrifica havaiane, djegia e robërve te keltët gjatë funeralit të zotëriut, miti i Iphigeneias te grekët, flijimi i njerëzve për hir të hyjnive të lumit në Kinën e vjetër, flijimi i njeriut te majat, te actekët etj.) dhe në vend të tij e ka bërë objekt sakrifikimi kafshën.

Shikuar sociologjikisht, fetë apo grupet fetare e inkurajojnë flijimin duke e cilësuar atë si devocion, kështu që akti i flijimit merr status të shenjtërisë. Sakrifica është argument i qartë për grupin se ithtari është i përkushtuar dhe se nuk i përjashton anëtarët e tjerë të bashkësisë, se i ndjen ata si vëllezër dhe motra, se e ka dertin e sofrës së tjetrit, qoftë ajo edhe për një periudhë të shkurtër kohore. Kurbani është një qarkullim ndërshtresor, një vetë disiplinim. Feja nga njeriu kërkon që të sakrifikojë nga koha, energjia, të abstenojë rregullisht ose përkohësisht prej disa ushqimeve. Siç thotë Meredith McGuire, disa sakrifica mund të kuptohen si forma të përulësisë ose të ndrydhjes së vetvetes, proces ky i pastrimit të personalitetit prej mbeturinave të “unit të vjetër”. Grupet që mundohen t’i risocializojnë anëtarët e vet në identitetin e përputhshëm me bindjet dhe vlerat e grupit, nxisin në përulësi. Prej anëtarëve kërkohet t’i braktisin sferat e jetës që ballafaqohen me unin e dëshiruar, të japin atë që më së shumti e duan. Shpërndarja e mishit për të varfrit dhe nevojtarët krijon një ndjenjë psikologjike të empatisë me të gjithë ata që janë në gjendje të pa lakmueshme, tregon unitetin e besimtarëve, të cilët ndonëse nuk janë fis biologjik, në fakt përbëjnë një entitet me ndjenjë të fortë përkatësie dhe solidariteti, pra shndërrohen në fis të frymës.

Është interesante se sot në botë ekzistojnë shoqata që kundërshtojnë flijimin e kafshëve (në hebraizëm, krishterim dhe islam), duke e quajtur atë si një therrori antianimaliste. Të tilla janë për shembull Fushata Globale për Ndalimin e Flijimit të Kafshëve (The Global Campaign to Stop Animal Sacrifice), Zëri Ndërkombëtar i Vegjetarianëve për Kafshët (Vegetarians International Voice for Animals) etj. Është e çuditshme që bëhen kampanja të tilla për një specie, ndërsa shoqatat e ndryshme globale shumë pak janë aktive në protestat kundër therorisë kolektive të një specieje më të sipërore siç është njeriu, kurorë kjo e qenësisë nën hyjnore. Shikuar nga perspektiva filozofike, në botë ekziston një lidhje zinxhirore mes krijesave, dhe të gjitha duke synuar perfeksionin kryejnë funksione të caktuara për imtësisht. Në kuadër të kësaj skeme hyjnore gjithçka nga bota e krijesave i është vënë në shërbim njeriut, pra edhe bagëtia, me qumështin, lëkurën, mishin etj. Andaj thirrja kundër ritit të kurbanit është një kumt me adresë të gabuar. Proanimalistët duhet të protestojnë kundër sakrifikimit të njeriut, kundër flijimeve historike por edhe moderne të njeriut, kundër eksploatimit, varfërisë, epidemive, luftërave, zhdukjes masovike të racave të tëra, gjenocidit etj. Po mirë, këputja e një speci a nuk është atak ndaj botës bimore? Speci s’ka shpirt, nuk ndjen dhembje – do të thuhet. Është i gjallë apo jo? Po! E atëherë pra, pse e bëjmë pjesë të pjatave të tavolinës? Të gjitha kulturat madhore, një pjesë të kafshëve i vënë në listën e burimit ushqimor, në mesin e tyre edhe islami i cila ka paraparë që një nga dhuntitë më të mira, mishin t’ua bëjë të akcesueshëm edhe njerëzve që ballafaqohen me de privime, të lëndueshëm ekonomikisht, që kanë probleme me cilësinë e jetesës dhe me mbijetesën. Kurbani është një dukuri me gjenezë religjioze por me impakt të fortë social konstruktiv. Ai e afron komshiun me komshiun, bashkëfshatarët dhe bashkëqytetarët, njerëzit e njërit skaj të botës me ata të skajit tjetër, madje krijon një sens pozitiv edhe te donatori edhe te adresantët anonimë të mishit, të cilët kuptojnë se s’janë vetë, se ka kush ua rreh derën, se gjërat janë për t’u ndarë me të tjerët e jo për t’i gardhuar hermetikisht vetëm për veten. Kurbani e eticizon dhe moralizon njeriun, e kultivon dhe fisnikëron atë, e bën të bashkëjetojë me dhurimin, me faljen në një kohë të hedonizmit dhe utilitarizmit ekstrem, kur njeriu është shndërruar në qenie ultra-vetjake, kur mendon vetëm për fytin e vet.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button