Analistët për Portalb: Opozita gardian i pushtetit, pret populli t’i lusë të qeverisin!

Përçarja e opozitës, mos ofrimi i një agjende konkrete politike që spikat interesin e përgjithshëm shqiptar e që kulmon me zënka për pozicione në moment kur opinioni kërkonë ndryshime thelbësore krijon huti dhe pasiguri te opinioni që kërkon ndërrimin e pushtetit aktual në Maqedoni.

Njohësit e çështjeve politike për Portalb thonë se sjellja e opozitës në moment kur koha po punon në dobi të tyren është amatoresk dhe shkon në dobi të pushtetit. Në vend se ta rrënojnë pushtetin ata po shndërrohen në gardian të pushtetit.

Gazetari Nazim Rashidi thotë se opozita fatkeqësisht është duke treguar amatorizëm (jo se ata në pushtet janë më të mirë) dhe kjo krijon zhgënjim sepse prej tyre pritet të sjellin risinë politike. Mungesa e ideologjisë dhe si rrjedhojë edhe e ofertave mbi ideologji politike të pastër, sjell veprime që janë para politike.

“Kjo gjë ju sjell dhe përplasje qesharake subjekteve opozitare sepse bashkëpunimin nuk nisen ta fillojnë mbi çështje parimore që i lidhin, apo qoftë edhe si ti tejkalojnë dallimet, por debati është mbi çështje totalisht jo politike të tipit se kush është më i forti. Kjo është edhe arsyeja se mbështetja e tyre në opinion nuk është aq e madhe, në një kohë kur pakënaqësia ndaj pushtetit është aq evidente. Zënkat për pozicione, për primat mes tyre vetëm sa ju krijojnë përshtypje njerëzve se bëhet fjalë për kopje të partive që ata duan ti rrëzojnë. Nga ana tjetër do të më gëzonte fakti që mungesa e bashkëpunimit të ishte për arsye parimore. Për shkak të pa përputhshmërisë së koncepteve që prezantojnë. Kjo do të tregonte seriozitet, por edhe qartësi se për çfarë qëndrojnë e çfarë nuk tolerojnë. Por kjo gjë nuk po shfaqet,” thekson për Portalb Rashidi duke shtuar se ajo që shohim është zënkë se kush do të jetë i pari në grupin opozitar.

Edhe analisti Xhelal Neziri mendon se opozita shqiptare ndjek një strategji absurde dhe të gabuar.

“Presin qe populli apo elektorati shqiptar të zhgënjehet aq shumë nga BDI saqë t’i votojë ata edhe pse nuk kane platforma te qarta dhe aktivitete konkrete të pritshme për një opozitë. Bile kam përshtypjen se presin që pasi t’i fitojnë zgjedhjet, populli të protestojë apo t’i lusë që të bëhen pjesë e pushtetit. Pra, kemi një veprim opozitar sa për sy e faqe, apo vetëm nga zyrat dhe Facebooku, dhe një inat fëmijëror për bashkim rreth një qëllimi të përbashkët – ndryshimin e realitetit politik e shoqëror te shqiptarët e Maqedonisë. Mendoj se do të duhet lënë që këto parti të veprojnë në bazë të agjendave që kanë përcaktuar, pa marrë parasysh se na duken absurd”, vlerëson Neziri.

Njohësit e çështjeve politike vendojnë theksin e mos suksesit të opozitës tek retorika e tyre politke. Populli dëshiron të dëgjojë gjëra konkrete dhe jo fjalë boshe, thonë ata.

“Zhgënjimi bëhet më i madh kur subjektet opozitare nuk arrin të ndryshojnë retorikën politike, kur ofertat i kanë pa asnjë risi, kur debatet përqendrohen tek vetvetja dhe jo tek idetë dhe zhgënjimi vjen më shumë kur nuk sheh se si do të arrihen ato që premtohen. Në të shumtën e rasteve veprimet duken si OJQ dhe jo si parti që janë të gatshme që qeverisin. Drama më e madhe për këtë shoqëri vjen pikërisht këtu, sepse një qeverisjeje e cila me kohë do të duhej sfiduar për shkak të regresit që ka sjellë, në këtë mënyrë të të bërit politikë pa dyshim që atyre ju sjell favor. Atë që do të duhet të bëjë opozita është të bëjë ofertë të qartë. Jo fraza boshe politike. Të tregojë se ku i sheh shqiptarët në të ardhmen. Të tregojë si do ta arrijë këtë, çfarë buxheti parasheh, më e rëndësishmja si do ta mbledhë këtë buxhet, sa vende pune do të hapë. Si do ti mbyllë çështjet politike etnike dhe jo vetëm konstatimi i tyre. Cila është oferta ekonomike? Sa do të ketë kontroll shteti mbi ekonominë. Politika fiskale, cila do të jetë? Tatimet. Çfarë lloj parashikohen? Opozita duhet të tregojë profesionalizëm të pa parë dhe veç konstatimeve dhe parodisë që bën me gjendjen aktuale, të shokojë me dije dhe zgjidhjet që do japë, të cilat duhet të jenë të besueshme dhe realiste duke u bazuar në kontekstet aktuale. Jo përplasje në nivel personal por të ngadhënjejnë, të tregojnë se janë rritur dhe përplasjet ti kenë për ide dhe vizione. Dhe njerëzit duan vizione të qarta dhe të përputhshme me realitetet, dëshirat dhe synimet e një brezi tjetër tashmë,” potencon Rashidi.

Sipas tij, opozita duhet të japë vlera të qarta shqiptare që historikisht janë të bazuara drejt perëndimit dhe jo konfuzitet.

“Dhe në fund, nëse një opozitë nuk arrin të mposhtë një strukturë që ka sjellë aq shumë degjenerim politik, që ka promovuar antivlera, që ka ngritur në kult paditurinë, atëherë realisht problemi është tek ajo. Për fat të keq”, përfundon Rashidi.

Partitë e reja, shprehet Neziri, duket se nuk kanë kapacitet për bashkim, që do të ishte interes i përgjithshëm, por dëshirojnë të ecin të vetëm shkaku i interesave konkrete të disa individëve.

“Me këtë me ose pa vetëdije pamundësojnë ndryshimet te shqiptarët, duke u bërë guardianë të pushtetit të BDI-së”, thekson për Portalb Neziri.

Në një konferencë për shtyp, ditë më parë, Lëvizja Besa bëri ftesë publike për front opozitar. “Lëvizja BESA , sot është këtu që të hapë një derë të re të bashkëpunimit opozitar. Këshilli Qendror i LB-së në mbledhjen e fundit, ka dalë me vendim që të dilet me ofertën për një platformë opozitare, që parashikon ndërtimin e një fronti të përbashkët opozitar me të gjitha forcat progresive në vend, që kjo strukturë e BDI-së, përfundimisht të largohet nga skena politike shqiptare në Maqedoni”, ka thënë Bilall Kasami.

Rilindja Demokratike Kombëtare iu është përgjigjur kësaj thirrje me qëndrim kategorik: “Rilindja Demokratike Kombëtare e konsideron veten e vet si një organizim shoqëror të njerëzve të vullnetit të mirë që kanë vullnet dhe kapacitet të japin kontribut për avansimin e çështjes shqiptare, por nuk e konsideron veten se është “shpëtimtare e kombit” dhe se nuk e sheh normale të merr pjesë në ndonjë këshill mbipartiak qe veten e trajton “shpëtimtare” ndërsa subjektet tjerra, kushdo qofshin ato, si subjekte tradhtarësh. Rilindja Demokratike Kombëtare mendon se secili subjekt politik ka të mirat dhe të këqijat, dhe në kohën e duhur secili do të marr atë që meriton, pa mos akuzuar askënd se kush është tradhtarë dhe kush është kombëtarë.”

Ndërkaq PPD shprehet se mbështet çdo iniciativë për bashkim nga të gjitha partitë opozitare.

Lajme të ngjashme

Back to top button