Popovska: a do ta kemi Monika Makovej-n maqedonase?

Kryetarja e partisë DOM Liljana Popovska, e ka përkrahur prokuroren speciale dhe vlerëson se ajo është një mundësi për t’i pastruar pasojat e tërmetit juridik në Maqedoni, ku viktimë u bënë, shteti ligjor, të drejtat dhe liritë njerëzore.

“Ligji për prokuror special na duhet sepse na kanë sjellë në situatë speciale e cila kërkon masa speciale. Ashtu është prokurori special tani, por së shpejti ndoshta edhe Gjykata Speciale. Ky propozim është në version të modifikuar të DOM-it, është thënë publikisht para gjashtë muajve, më 7 mars kur kërkuam dorëheqje të prokurorit publik dhe zgjedhjen e prokurorit të ri me konsensus, duke e vendosur prokurorin publik si figurë kryesore për zgjidhje juridike. Kemi propozuar edhe kthimin e opozitës në Kuvend, për t’i zhvilluar të dy proceset paralelisht – gjyqësore dhe parlamentare”, thuhet në deklaratën e DOM-it.

Kryetarja Popovska, thotë se vet ligji nuk është garanci se do të rregullohet shteti, por se me rëndësi janë njerëzit.

“Të gjithë sytë do të jenë të kthyer nga prokurori special. Të shohim a do ta kemi Monika Makovej-n maqedonase, e cila ka mundësi historike të vendos rend në Maqedoni? Për t’u kthyer besimi në institucionet e shtetit, për të pasur kriza përfundim paqësor. Për t’u kthyer etika, morali, të dihet se çka është e mirë e çka është e keqe”, shkruhet në deklaratën e DOM-it.

Popovska i ka uruar të gjithë katër partitë që kanë pasur sukses për gjetjen e një vendimi të përbashkët përfundimtar si pikë fillestare për zgjidhjen e krizës. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button