Albafone së shpejti në treg

Funksionalizimi i operatorit të telefonisë mobile Albafone është tashmë çështje ditësh. Drejtuesit e kompanisë kanë thënë se po bëjmë punë intensive për të përfunduar çdo detaj të vogël që puna të nisë shumë shpejtë.
 
“Është një ekip i madh i njerëzve profesionistë në të gjitha fushat që janë gati t’u shërbejnë konsumatorëve që nga dita e parë e funksionimit. Po ashtu, kemi shumë për të ofruar, shumë gjëra për të përmbushur. Data e fillimit të punës së Albafone është vetëm disa ditë larg”, ka thënë për “Zhurnal”, Bleta Abdulai, drejtoreshë e marketingut në Albafone. 

Ajo ka shpjeguar se testimet e rrjetit janë përfunduar dhe numrat me prefiks 073 tashmë po funksionojnë pa problem. Albafone ka zhvilluar negociata intensive me operatorët e tjerë më të mëdhenj në Republikën e Maqedonisë për të arritur kontrata për interkoneksion ose ndërlidhje mes njëri-tjetrit. 

Abdulai ka shpjeguar se gjatë kësaj periudhe janë precizuar detaje rreth çështjeve teknike, megjithatë akoma nuk janë përfunduar dhe nënshkruar marrëveshjet me operatorët më të mëdhenj në vend. Sidoqoftë, është vendosur që Albafone të fillojë punën, me ose pa kontratë me operatorët më të mëdhenj në vend. 

“Ne po e bëjmë publik këtë vendim, i cili u është komunikuar edhe të gjithë operatorëve. Ne ju kemi bërë premtim konsumatorëve shqiptarë, dhe premtimin do ta mbajmë. Sigurisht që është e vështirë ta pranojnë se një pjesë e kulaçit do t’ju rrëshqasë nga dora, por këtë duhej ta mendonin vite me radhë. Akoma pa ardhur në treg Albafone, gjërat kanë ndryshuar shumë, po punësohen shumë shqiptarë, konkurrentët tanë po vizitojnë për herë të parë pas aq vitesh në treg vendet ku jetojnë shqiptarët, po angazhojnë fytyra publike shqiptare për fushata promocionale”, ka thënë Abdulai.  

Ajo ka shpjeguar se misioni i Albafone është të përmbushë nevojat e komunikim të shqiptarëve në Maqedoni. Sipas Abulait, kjo do të bazohet duke u fokusuar në vlerat e kompanisë: integritet, fokus ndaj konsumtarëve, punë ekipore, profesionalizëm dhe përgjegjësi, ne do të ofrojmë shërbime cilësore në treg dhe oferta të cilat do t’i përmbushin kërkesat e konsumatorëve. 

“Të gjitha shërbimet dhe ofertat do të testohen dhe do të jenë të fokusuara fillimisht ndaj popullatës shqiptare, dhe jo të ndjehen si dorë e dytë, siç ka ndodhur deri më tani. Po ashtu, i gjithë komunikimi i fushatave, komunikimi i Shërbimit për Klientë, të punësuarit tanë do të ‘flasin shqip’. Ky është slogani ynë dhe do ta dëshmojmë sapo të nisim me punë. Prandaj mendojmë se tregu i telefonisë mobile në Maqedoni do të pësojë shumë lëkundje dhe nuk do jetë më aq stabil si deri më tani. Po ashtu, një nga synimet kryesore të Albafone është të jemi në shërbim të konsumatorëve, do të punojmë me filozofinë ‘six sigma’ për t’u përgjigjur shpejt dhe me profesionalizëm të gjitha pyetjeve dhe kërkesave”, ka thënë Abdulai. 

Ajo ka theksuar se do t’i ndjekin dhe aplikojnë të gjitha risitë teknologjike dhe do përgjigjen shpejt me shërbime dhe oferta të reja në treg.  (A. F.)

Lajme të ngjashme

Back to top button