Timermans porosit Ahmetin: Zhvilloni politik integruese

Sot në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Holandës, Kryetari i Bashkimit  Demokratik për Integrim,  Ali Ahmeti, zhvilloi një takim zyrtar me Ministrin Frans Timermans. Ministri i Jashtëm Timermans i uroi mirëseardhje Kryetarit Ahmeti dhe shprehu vlerësimin e tij të lartë për rolin e Kryetarit Ahmeti në stabilitetin e vendit dhe ndërtimin e marrëdhënieve të shëndosha ndëretnike në Maqedoni.

Kryetari Ahmeti falënderoi Ministrin Timermans për kohën e ndarë dhe shprehu mirënjohje të lartë për rolin që Holanda e ka në vendosjen e paqes dhe ngritjen e institucioneve demokratike në Maqedoni dhe në rajon. Eksponentët Holandez si  Maks Van Der Shtul, Nikolas Biegman, Piter Feith, Robert Sery dhe të tjerë kanë kontribuar shumë në arritjen e Marrëveshjes së Ohrit si dhe në dekadën pas arritjes së paqes dhe për këtë, Kryetari Ahmeti falënderoi Ministrin Timermans dhe Holandën.

Kryetari Ahmeti shfaqi brengosjen që këto të arritura të mëdha të  përbashkëta që janë siguruar nëpërmjet të partneritetit me komunitetin ndërkombëtar, mund të rrezikohen nga vonesat për anëtarësim të  Maqedonisë në  NATO dhe në Bashkimin Evropian.

“Vonesa gjithashtu mund të ndikojë në cilësinë dhe dinamikën e reformave të kërkuara nga BE. Andaj, ashtu siç bashkërisht e ndërtuam paqen dhe stabilitetin në Maqedoni dhe rajon, bashkërisht, me ndihmën e Brukselit, Washingtonit dhe vendeve anëtare të BE, do të duhet edhe ta zgjidhim pengesën serioze që po e mban peng rrugën Euro Atlantike të Maqedonisë. Kjo mund të arrihet vetëm me përfshirjen më aktive të institucioneve të Bashkimit Evropian dhe vendeve mike siç është Holanda”, tha Ali Ahmeti
.

Ministri Timermans theksoi mbështetjen e parezerv  të Holandës për  integrimin e Maqedonisë në NATO dhe BE dhe inkurajoi palët për arritje  sa më të shpejtë të kompromisit midis Maqedonisë dhe Greqisë. Si njohës  shumë i mirë i rrethanave në vend dhe rajon, Ministri Timermans theksoi nevojën për zhvillim të politikave integruese, pajtuese dhe jo  nacionaliste për përfitime politike.

Ai theksoi se do të kontaktoj me kolegët e vet në Bashkimin Evropian  dhe do të flas për nevojën për ta zgjidhur këtë kontest në mënyrën më të mirë të mundshme si pjesë e agjendës Evropiane për zgjerim. Por, njëkohësisht edhe nënvizoi nevojën e shfaqjes së vullnetit politik të  palëve për të arritur kompromis dhe të shtimit të përpjekjeve për zgjidhje.

Timermans gjithashtu ngriti çështjen e lirisë së shprehjes dhe të mediave në Maqedoni si një shqetësim për vendet e Bashkimit Evropian.

Lajme të ngjashme

Back to top button