Hysaj mund të luajë kundër Danimarkës

Siç njofton faqja zyrtare e FSHF-së, “fshf.org”, pavarësisht se mbrojtësi shkodran Elseid Hysaj është stërvitur i veçuar, shanset janë të mëdha që të luajë në ndeshjen me Danimarkën pas dy ditësh. Gjithsesi, mjekët e kombëtares së bashku me fizioterapistin dhe masazhatorin po punojnë në mënyrë intensive me Hysajn, në mënyrë që mos hapet një “gropë” tjetër në mbrojtjen e Kombëtares, çka do ta bënte me “dhimbje koke” teknikun Gianni De Biasi, transmeton telesport.

“Ditën e sotme kombëtarja shqiptare e futbollit ka zhvilluar dy stërvitje intensive, paradite rreth një orë, dhe më pas në orën 18:00 rreth një orë stërvitje taktike dhe një ndeshje mes dy skuadrave 30 minutëshe. Ndërkaq, Elseid Hysaj nuk është stërvitur me grupin, por shanset që ai të luajë të premten përballë Danimarkës në Kopenhagen janë të mëdha”. Është ky njoftimi për shtyp i FSHF-së, që po bën maksimumin që gjithçka të jetë sinkron me paraqitjet e kuqezinjve kohët e fundit.

Sot ekipi kombëtar shqipëtar do të niset drejt Kopenhagenit dhe pas akomodimit në hotel, pritet një shëtitje në orët e mbrëmbjes. Ndërsa në orën 20:00 do të jenë në stadiumin ku do të luhet ndeshja, për të kryer seancën e fundit stërvitore në prag të sfidës të së premtes. Janë marrë masa të rrepta sigurie për këtë sfidë, teksa priten shumë tifozë shqiptarë. Përveç 2150 biletave që i janë dhënë sipas rregullit tifozëve kuqezinj, afro 4 mijë të tjerë shqiptarë mendohet të kenë siguruar bileta në sportelet e Kopenhagenit. Kapaciteti i stadiumit është rreth 40 mijë spektatorë, por Kombëtarja nuk do të ndihet vetëm.

Lajme të ngjashme

Back to top button