Trenat Eurostar ndërpriten për shkak të migruesve

Trenat Eurostar që udhëtojnë ndërmjet Britanisë së Madhe dhe Francës, ndaluan për disa orë gjatë natës për shkak të dyshimit se migruesit e paligjshëm kishin bllokuar binarët, në një nga zhvillimet e fundit në krizën e migruesve në Evropë.

Qindra pasagjerë u shfaqën të zemëruar pas vonesave të së martës mbrëma që përfshinë pesë trena që udhëtojnë nga Parisi për në Londër. Tre nga trenat përfunduan rrugëtimin e tyre, ndërsa dy të tjera u kthyen prapa. Pasagjerët u ankuan se energjia elektrike dhe ajri i kondicionuar ishin prerë gjatë kohës sa ata prisnin.

Trenat ndaluan në hyrje të Eurotunelit, pasi që zyrtarët dhanë alarmin se migruesit mund të kishin hyrë në tunel apo po udhëtonin në kulmet e trenave. Autoritetet nuk thanë nëse ka pasur të arrestuar.

Porti francez në Calais, ishte epiqendër e përpjekjeve të migruesve për të kaluar në Britani nëpërmjet Eurotunelit. Por, zyrtarët thanë se numri i njerëzve që po përpiqen ta kalojnë atë ka rënë në 100 deri 200 veta gjatë natës, për dallim nga dy mijë sa përpiqeshin brenda një nate gjatë muajit korrik.

Gjerat janë më keq ne kufijtë lindor të Evropës.

Të martën Organizata Ndërkombëtare për Migrim tha se më shumë se 350 mijë migrues kanë ndërmarrë rrugën e rrezikshme nëpërmjet Mesdheut gjatë këtij viti, duke ikur nga varfëria dhe trazirat në Lindjen e Mesme e në Afrikë dhe në kërkim të një jete më të mirë në Evropë.

Më shumë se 234 mijë veta kanë zbritur në brigjet e Greqisë, rreth 114 mijë në Itali dhe një numër më i vogël në Spanjë dhe në Maltë. Më shumë se dy mijë e 600 kanë humbur jetën më së shpeshti për shkak të mbytjes së anijeve të vjetra e të mbipopulluara të drejtuara nga trafikantët.

Të dhënat janë publikuar në një periudhë kur Evropa po vazhdon të përballet me rrjedhën më të madhe të migruesve që nga Lufta e Dytë Botërore.

Zëdhënësi i Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për refugjatët, Babar Baloch, i tha Zërit të Amerikës se “të gjitha vendet kanë përgjegjësinë e tyre për t’u përballur me krizën”. Shume nga vendet megjithatë po kërkojnë bllokimin ose kufizimin e rrjedhës së migruesve.

Në Hungari, autoritetet mbyllën të martën për ta rihapur sërish stacionin kryesor të trenave në Budapest. Qindra migrues, kryesisht nga zonat e konflikteve në Lindjen e Mesme, u lanë jashtë stacionit derisa po përpiqeshin të vazhdonin rrugëtimin e tyre për në Austri ose Gjermani.

Hungaria është një nga portat kryesore të hyrjes së migruesve në Bashkimin Evropian me rreth 156 mijë veta gjatë këtij viti.

Lajme të ngjashme

Back to top button