MPM i zvogëlon pagat, gazetarët kanë dalë në protestë

Gazetarët e redaksive të tre gazetave të “Mediaprint Maqedoni” (“Dnevnik”, “Utrinski vesnik” dhe “Vest”), sot pasdite kanë dalë në protestë para kompanisë për ta treguar revoltin dhe pakënaqësinë e tyre nga vendimi i trupit menaxhues të MPM-së për zvogëlimin e pagave. Vendimi do të hyjë në fuqi sot, ndërkaq në vazhdimsi do të zvogëlohen pagat për 30, 20 dhe për 10 %, varësisht nga të ardhurat e të punësuarve.

Para gazetarëve të cilët protestonin, ka folur kryetarja e Sindikatit të Gazetarëve dhe Punëtorëve në Media, Tamara Çausidis, e cila theksoi se me këtë vendim edhe më shumë devalvohet dhe prishet dinjiteti ekonomik, politik, por edhe ai profesional i gazetarëve në Maqedoni, njfton Meta.

“Sot kemi dalë që ta tregojmë revoltin dhe protestën tonë kundër vendimit për uljen e pagave, e cila në mëngjes u publikua nga MPM. Për një vend që me sukses e ka kaluar krizën botërore dhe siç po dëgjojmë çdo dit, është lider në Evropë për rritje ekonomike, është e papranueshme që t’i zvogëlojë pagat e gazetarëve për shkaqe ekonomike. Me këtë rritet pasiguria te gazetarët në MPM dhe në Maqedoni, të cilët edhe ashtu janë me paga më të dobëta në regjion dhe më gjerë” ka deklaruar Çausidis.

Ajo tha që kjo nuk i preokupon vetëm të punësuarit në MPM, por të gjitha redaksitë e mediumeve të tjera në vend. Kryetarja e Sindikatit paralajmëroi se do të kërkojë mbështetje edhe nga mediumet tjera.

Në fund, pas një bashkëbisede të shkurtër, gazetarët që ishin pjesë e protestës para MPM, u morën vesh që edhe nesër dhe ditëve të ardhshme, në orën 12, të dalin para MPM-së dhe të vazhdojnë me protestat.

Çausidis, gjithashtu deklaroi se vendimet janë marrë pas dyerve të mbyllura, ndërkaq Sindikata për këto vendime ka marrë vesh pastaj. Për vendime potenciale të mundshme, sot Sindikata i ka dorëzuar propozimet e veta deri te trupi menaxherial i MPM-së.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button