Në Shipkovicë të Tetovës shtëpitë e dëmtuara nga përmbytjet ende të pabanuara

Fatkeqësia natyrore që goditi rajonin e Tetovës në fillim të këtij muaji shkaktoi gjashtë të vdekur, të paktën 11 të tjerë u lënduan u shkaktuan dëme të mëdha materiale, veçanërisht në fshatrat e malësisë së Tetovës. Nga reshjet e dendura të shiut të shoqëruara nga erëra të forta të cilat pasditen e 3 gushtit goditën këtë rajon më tepër u prek fshati Shipkovicë, i cili në ato momente përjetoi një ndër situatat më të rënda të historisë së tij. Në këtë fshat humbën jetën tre fëmijë dhe një i moshuar, prej të cilëve trupi i të miturës gjashtë vjeçare u gjet shtatë ditë pas përmbytjeve, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas Komisionit për vlerësim mbi 200 objekte të rajonit të Tetovës ishin dëmtuar në mënyrë të konsiderueshme si pasojë e përmbytjeve. Për arsye të problemeve serioze Qeveria në një seancë të jashtëzakonshme dha pëlqimin për ndihmë të këtij rajoni, duke u ndarë ndihma fillestare në vlerë prej 500 euro familjeve që pësuan nga përmbytjet. Nga ana tjetër, Komuna e Tetovës datat 5 dhe 6 gusht i shpalli ditë zie, si dhe vendosi që familjeve të viktimave tu jepet ndihma e parë në vlerë prej 1 mijë euro.

Shumë komuna të vendit, institucione dhe organizata të ndryshme vendase dhe të huaja u angazhuan në ndihmë të familjeve të prekura nga përmbytjet në Tetovë, duke dërguar ekipe për ndihmë teknike dhe mekanizëm, paketime për nevojat prioritare, si ujë, ushqim dhe mjete higjienike, por edhe ndihmë në të holla.

– Banorët e Shipkovicës falenderues nga ndihmat e ofruara –

Pas gati një muaj ditë, disa shtëpi në fshatin Shipkovicë ende janë pa kushte për banim dhe këto familje jetojnë tek të afërmit e tyre. Njëri nga këto është edhe Abdylfetah Xhabiri, i cili humbi babain në përmbytjet e 3 gushtit. Ai në kohën e fatkeqësisë ndodhej në oborrin e shtëpisë së fqinjit, duke u përpjekur të ndihmojë persona të tjerë, ndërsa babai që humbi jetën në përmbytje ndodhej brenda në shtëpi.

“Deri sa mundohesha të ndihmoja disa fëmijë, mendoja se babai është i sigurtë brenda në shtëpi. Babai deri në një kohë ka qëndruar në dhomë. Kur dikur ka vërejtur se është duke ardhur ujë i madh është përpjekur të largohet nga shtëpia dhe në atë moment uji e ka marrë poshtë. Unë kur u ktheva shtëpia ishte e mbushur me baltë. Hyra nga dritarja e banjës, sepse nuk kisha mundësi të futem nga dera apo dritarja për arsye të baltës dhe ujit të madh”, thotë Xhabiri për AA.

Ai momentalisht jeton tek shtëpia e një miku në fshat, por pavarësisht humbjes së babait dhe dëmeve të mëdha materiale që i shkaktuan përmbytjet, shpreh falënderime tërë popullit të Maqedonisë për ndihmën e ofruar në këtë fshat. Xhabiri poashtu shpreson se dëmet e shkaktuara do të kompensohen tërësisht.

“Ka pasur shumë persona vullnetare dhe aksionerë që na kanë përkrahur, janë solidarizuar në të gjitha anët, duke na përkrahur edhe moralisht, por edhe psikologjikisht. Nga Komisioni është bërë vlerësimi i dëmeve, por ende nuk ka asnjë vendim. Ka fjalë se do të kompensohen të gjitha dëmet, dhimbja është dhimbje, ajo nuk largohet lehtë, por ky është fat i jonë dhe duhet të përballohemi me të”, deklaron Xhabiri.

Xhabiri shprehet se Qeveria gjithmonë ka vizituar fshatin Shipkovicë dhe premtimet është duke i realizuar. Sipas tij, Qeveria ka qenë e angazhuar në maksimum për pastrimin e objekteve, duke angazhuar edhe ushtarët dhe të burgosurit, por më tej veçon se edhe persona tjerë vullnetarë kanë ndihmuar në pastrimin e objekteve të dëmtuara.

“Ata na kanë ndihmuar edhe fizikisht. Këtu ishte e tëra e mbuluar me baltë dhe ishte tepër e vështirë për të punuar, pasi që edhe vendi ku jetojmë është një vend i ngushtë. Secili ka dhënë kontribut në mënyrën e vet, sepse vet tregon edhe kjo pamje, e cila është sikur ka ndodhur ndonjë fatkeqësi shkatërruese si tërmeti, vullkani apo cunami”, thotë Xhabiri.

– Për pastrimin e shtëpive është punuar me intensitet të madh deri në gjetjen e trupit të pajetë të vajzës së mitur, pastaj ky intensitet është dobësuar –

Zëvendës kryetar i Shtabit të Emergjencës në Shipkovicë, Shabedin Seferi, thotë se ndihma në ujë, ushqim dhe veshmbathje, deri më tani ka pasur në mënyrë të mjaftueshme dhe banorët e fshatit gjithmonë kanë qenë të furnizuar me nevojat prioritare. Ai poashtu konfirmoi se janë ndarë edhe ndihmat në të holla nga Qeveria dhe Komuna e Tetovës për familjet e dëmtuara.

Seferi thekson se tani do të fillohet me fazën e dytë, ku përfshihet edhe riparimi i shtëpive dhe projektimi i përroit, e cila varet nga buxheti qeveritar. Siç njofton ai, ekspertë nga Komuna, Qeveria dhe nga Bashkimi Evropian kanë vlerësuar dëmet, ndërsa shton se Bashkimi Evropian ka miratuar një buxhet i cili do të shpërndahet në disa faza. Sipas të tij, në fillim është punuar me intensitet të madh nga ushtarët, të burgosurit dhe ekipe të ndryshme për pastrim, por ky intensitet pas gjetjes së gjashtë vjeçares së mitur tepër është zvogëluar dhe tani për tani punët janë duke u realizuar dalë nga dalë.

“Ka pasur intensitet të madh të punës, por kohën e fundit ai intensitet ka ndryshuar. Kemi probleme me firmat private që ishin të angazhuar dhe të inkuadruar në sistemin e punës për pastrimin e objekteve. Pas gjetjes së trupit të fundit të pajetë ky intensitet është zvogëluar. Para kësaj kohe shtabi jonë ishte kompetent në koordinimin e sistemit të punës, ndërsa tani kompetent për pastrimin e mbeturinave dhe shtëpive është Komuna e Tetovës dhe Qendra për mbrojtje dhe shpëtim”, deklaron Seferi për AA.

Nga ana tjetër, koordinator i Shtabit emergjent dhe i dërguar nga Komuna e Tetovës, Gëzim Zeneli, thotë se punimet që ishin të planifikuar në fazën e parë janë realizuar. Në këtë fazë, ai theksoi se në radhë të parë është bërë identifikimi i të gjitha nevojave prioritare, pastrimi i rrugëve të fshatit, sistemi i kanalizimit dhe ujësjellësit, si dhe ndriçimi publik. Paralelisht me këto, siç shprehet ai, është bërë edhe pastrimi i shtëpive, objekteve dhe lokaleve afariste, përfshirë dezinfektimin e të njëjtave.

“Pritet të fillojnë punimet e fazës së dytë në të cilën do të duhet të kompletohet edhe sistemi i ujësjellësit dhe kanalizimit, përfshirë edhe kompensimin e dëmeve. Në terren ishin Komisioni për vlerësimin e dëmeve, rezultatet e së cilës priten të dalin këtë javë me informacione për kompensimin e dëmeve dhe e njëjta të fillojë të zbatohet. Ende nuk dihet sa shtëpi janë parashikuar të ndërtohen nga fillimi dhe sa të tjera duhet vetëm të rikonstruktohen”, deklaron Zeneli për AA.

Sipas ekspertëve, shkaqet e përmbytjeve në fshatin Shipkovicë ishte vërshimi i përroit menjëherë mbi fshat. Sipas Zenelit, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor këtë vit ka parashikuar të rregullohet shtrati i përroit, si dhe të kompletohet sistemi i ujësjellësit, kanalizimit dhe rregullimin e disa rrugëve kryesore.

Lajme të ngjashme

Back to top button