MPB do të shpall konkurs për punësimin e 400 policëve

Ministria e Punëve të Brendshme nesër do të shpallë konkurs për punësimin e 400 nëpunësve të rinj policorë. Të interesuarit do të mund të aplikojnë nga dita e martë, ndërsa afati për dorëzimin e fletëparaqitjeve është 10 ditë.

Kandidatët duhet t’i plotësojnë kushtet themelore, gjegjësisht të jenë shtetas të Republikës së Maqedonisë, të jenë të moshës madhore, ndërsa të mos jenë më të vjetër se 25 vjeç, të kenë të kryer të paktën arsim të mesëm katërvjeçar, të jenë të shëndoshë dhe të aftë psikofizikisht dhe të mos kenë të shqiptuar aktgjykim të plotfuqishëm për mos-kryerje të profesionit. Krahas kësaj, kandidatët e gjinisë mashkullore duhet të jenë të lartë minimum 175 centimetra, ndërsa femrat 165 centimetra.

Përzgjedhja e kandidatëve do të zhvillohet në pesë faza – verifikim të dokumentacionit të dorëzuar, verifikim të aftësive motorike të aplikuesve, testim me shkrim i cili do të përfshijë test të përgjithshëm arsimor dhe psikik, intervistë dhe kontrolle shëndetësore.

Ata të cilët do t’i plotësojnë kushte dhe të cilët do të zgjidhen pas selektimit të bërë, do të nënshkruajnë marrëveshje për trajnim themelor në kohëzgjatje prej një viti, ndërsa pas përfundimit të trajnimit do të nënshkruajnë marrëveshje për punësim në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Në trajnimin themelor do të dërgohen 10 për qind numër më i madh i kandidatëve nga ata që kërkohen me konkurs.

“Së bashku me 300 kandidatët të cilët e selektuam vitin e kaluar, Ministria pas përfundimit të këtij konkursi do të fitojë gjithsej 700 nëpunës të rinj policor që do të paraqesë freskim i jashtëzakonshëm i kuadrit”, theksoi sot në konferencën për shtyp ministrja e Punëve të Brendshme Gordana Jankulloska.

Ajo theksoi se gjatë përzgjedhjes së kandidatëve do të mbahet llogari për përfaqësimin e drejtë të të gjitha bashkësive etnike dhe do të merret parasysh edhe barazia gjinore.

Vitin e kaluar Ministria e Punëve të Brendshme shpalli konkurs për punësimin e 300 nëpunësve policorë.

Lajme të ngjashme

Back to top button