Portugalia e përgjysmuar ndaj Shqipërisë

Kur na ndajnë më pak se dy javë nga sfida e 7 Shtatorit mes Shqipërisë dhe Portugalisë që do të zhvillohet në “Elbasan Arena”, situata në të cilën gjendet përfaqësuesja luzitane nuk është shumë e mirë dhe shanset e kombëtares kuqezi për të arritur një tjetër fitore historike ndaj Portugalisë pas asaj në Aveiro sa vinë e shtohen.

Të premten trajneri Fernando Santos do të bëjë publike listën e lojtarëve të grumbulluar për dy sfidat e Shtatorit ndaj Francës dhe Shqipërisë, por problemet për 60-vjeçarin nuk mungojnë. Portugalia do të jetë praktikisht pa mesfushë në sfidën e Elbasanit.

Treshja titullare në repartin e ndërmjetëm në fitoren 3-2 ndaj Armenisë në transfertë e përbërë nga Joao Moutinho-Thiago Mendes dhe Fabio Coentrao, i cili në kombëtare luan më i avancuar se te Reali, nuk do të jetë e njëjta ndaj Shqipërisë. Mesfushori i Monacos ka pësuar një dëmtim dhe do të mungojë për rreth 1 muaj, Thiago nga ana tjetër u ndëshkua me karton të kuq ndaj Armenisë dhe është i skualifikuar ndërsa i vetmi që mund të luajë është Fabio Coentrao, por edhe ky i fundit nuk po kalon një situatë aspak pozitive te Real Madrid dhe nuk ndodhet në formën e tij optimale.

Një tjetër e dhënë që favorizon Shqipërinë është se ylli i Portugalisë, Cristiano Ronaldo nuk ka arritur akoma formën e tij ideale, madje në miqësoret e verës ka shënuar vetëm 1 gol. Edhe Danny e Nani nuk janë më ata të dikurshmit. Te Fenerbahche ish lojtari i Manchester United edhe pse luan rregullisht ka humbur shumë nga klasi i tij, ndërsa sulmuesi i Zenitit më shumë sesa titullar lihet në stol nga Villas Boas në pjesën më të mirë të ndeshjeve.

Lajme të ngjashme

Back to top button