Kalorësit e apokalipsës dhe Akademia

Shprehja “kalorësit e apokalipsës” është një produkt i literaturës religjioze-biblike që nënkupton figura mitike nga kapitulli i gjashtë i Gjonit dhe që përshkruan katër grahës të kalit që simbolizjnë katër të këqijat që do të paraqiten në tokë ditën e Apokalipsës duke paralajmëruar Fundin e Botës. I pari shënjon Antikrishtin, i dyti gjakun si pasojë e luftës dhe shkatërrimit, i treti urinë dhe sëmundjet, dhe i katërti, vdekjen dhe ferrin.

Në vendin tonë me sa duket e keqja ka marrë dhenë, është përhapur sa s’bën dhe skemat apokaliptike sado që duken larg, të bëhen afër kur sheh shenjat e shumta që më tepër se shpresën e ngjallin pesimizmin. Në këtë drejtim, detyrë e intelektualëve, në veçanti e klasës së seniorëve të dijes është që ta luftojnë të keqen dhe të pozicionohen përkrah të mirës, t’i luftojnë kalorësit e apokalipsës e jo t’i mbështesin e në asnjë mënyrë vetë të shndërrohen në të tillë.

Akademia, në parim është druri i jetës së shoqërisë (arbor vitae), është punishte intelektuale që laton ardhmërinë e një shoqërie, vend ku tubohet truri më fisnik i një shoqërie. Por a është i tillë rasti me Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Maqedonisë, siç duam ta quajmë ne shqiptarët apo me Akademinë Maqedonase të Shkencave dhe të Arteve zyrtare, që mban një atribut etnik me shënjim të kufizimit edhe të dijes dhe shkencës të cilat janë vlera shumë më sublime sesa kornizat dhe kufijtë e nacionales. Ky institucion në periudhën e fundit si duket po e lançon veten si një ikonë të ndasive, të skemave profetizuese deprimuese për ardhmërinë e etnisë dominante dhe të shtetit në përgjithësi. Në faqet e zeza të historisë kjo akademi do të hyjë me propozimin për ndarje të Maqedonisë, 2001, me Enciklopedinë Maqedonase famoze që shqiptarët i cilësonte si montanjerë (malësorë), si pushtues të trojeve sllave, me anëtaren e saj që para do kohe mësimin e shqipes nga maqedonasit e cilësoi si krim kulturor etj.

Këtyre ditëve (22 gusht) ajo, në një tribunë në Ohër, ASHAM doli me një porosi se “Maqedonia është në udhëkryq, se në pikëpyetje është mbijetesa”, se migrantët kalimtarë përbëjnë rrezik siguri, se thellimi i gjendjes së krizës kanoset t’i ngjallë ëndrrat e ndarjeve historike të së kaluarës dhe t’i zhbëjë vlerat dhe interesat themelore të shoqërisë, se në korniza rajonale “fqinjët i kemi edhe shpresë edhe kërcënim”, se Maqedonia është në vijën e zjarrit mes NATO-s dhe Federatës Ruse (Ristovski) etj.  Nga ana tjetër në të, nga kryetari aktual i ASHAM ishte shënuar edhe realiteti i demokracisë formale në RM, i partizimit, mosrespektimit të parimit të sundimit të së drejtës, koncepti etnocentrik ti shtetit, fakti i ruajtjes së sistemit të vjetër të vlerave dhe të korrupsionit sistematik. Nga konkluzionet racionale të Akademisë ishte edhe ai se në shtet nuk mundet që gjithçka të varet nga vullneti liderëve partiakë, se pyetja kyç është si Maqedoninë ta shndërrojmë në shtet demokratik përmes institucioneve të pavarura që do të gjykojnë dhe punojnë pa pyetur cilindo kryeministër apo qeveri të ardhshme.

Përkundër këtij diagnostifikimi objektiv ligjërata e ASHAM nuk i shpëtoi kompleksit të çështjes shqiptare, nënvizoi tendencat gjithnjë e më të hapura për shtet binacional, duke e relativizuar punën përmes “brengës se si është e kundër që një bashkësi etnike kërkon më shumë të drejta duke i shpërfillur bashkësitë e tjera’, se nga kërkesat për barazi gjuhësore shtyhet përpara platforma “të sundojmë ne të dy, ndërsa të gjithë të tjerët të jenë vartësit tanë”. Mbetet dilema e politizimit të një instance shkencore që në kushte normale, bashkë me duhet të jetë forcë motorike e dinamikave shoqërore.

Është për t’u lavdëruar se akademia, pas një kohe të gjatë poltronizmi politik, ka marrë guximin të tërheqë vërejtjen për trendet negative në rrjedhat sociale, të kritikojë kryeministrin dhe qeverinë por kalorësit e apokalipsës brenda saj vazhdojnë me kursin e tyre të vjetër. Faktografia flet se ASHAM vazhdon të kultivojë një dikurs albanofob, vazhdon që shqiptarët t’i trajtojë si problemin më të madh të kësaj shoqërie, duke reflektuar kështu një klimë deprimuese për ardhmërinë e qytetarëve të këtij vendi. Si duket një pjesë e mirë e intel-gerontokracisë ende s’ka shpëtuar nga kthetrat e frymës jugosllave dhe serbofilisë, andaj ka nevojë për një shpirt të ri të intelektualëve që do të marrin timonin e kësaj shtëpie të shndërruar në vatër të “fisnikërisë akademike të fundkarrierës” apo “parking të shkollarëve pensionistë”.

Në fakt, skicimet apokaliptike, të grahësve të apokalipsës,  që profetizojnë fundin e shtetit dhe të botës duhet të zëvendësohen me konstruktivizëm të bazuar në analiza serioze siç bëjnë institucionet me renome botërore. Një gjë simptomatike nga ky shkrim është numri katër dhe katër partitë politike që sillen si të paprekshme në këtë nënqiell. Cili është destinacioni drejt të cilit po na çojnë ato? A ka dialektikë fertile mes tyre dhe akademisë? Dhe sëra e pyetjeve që na lindin në kokë zgjatet: Ku ishte Akademia kur u pushtua hapësira urbane qendrore e kryeqytetit? Pse Akademia, së paku, nuk merr guximin për ta denacionalizur emrin e vet? Pse nuk ia ka dalë të bëhet më e hapur dhe të ndryshojë të perceptimin te qytetarët dhe shkollarët jomaqedonas? Nga Ohri, për momentin erdhi diçka e shumëpritur: guximi për ta thënë troç të vërtetën, për të folur hapur kundër politikave të “dominusit”, gjë që ndoshta është e vonuar por megjithatë është më mirë vonë se kurrë!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button