Berisha: Hekurudha Tiranë-Prishtinë, projekti më i rëndësishëm rajonal

Ish- kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka dalë sot në një konferencë për shtyp paralelisht me konferencën online që kryeministri Rama po zhvillonte në rrjetet sociale me qytetarët që kishin pyetje për t’i drejtuar.

Berisha e nisi fjalën e tij më një sërë akuzash drejtuar qeverisë sa i përket projekteve që po dërgon në konferencën e Vjenës, të cilat sipas ish-kryeministrit janë projekte pa fizibilitet.

Ndërsa foli për këto projekte, ish kryeministri tha se hekurudha Milot- Prizren është projekti më i rëndësishëm rajonal. Ai foli për përfitimet që sjell ky projekt por që po anashkalohet nga qeveria dhe kryeministri Rama.

“Qeveria shqiptare dërgon atje projekte që nuk kanë fizibilitetin, janë të ndikuara nga elektoralizma dhe shmang projektet më kryesore. Unë dua të them këtu se projekti i projekteve është hekurudha Tiranë-Prishtinë, apo më thjesht Milot-Prizren. Është kjo hekurudhë që bën që Shqipëria të përfitojë në shkallë maksimale nga pozicioni i saj strategjik. Shqipëria ka një pozicion strategjik që i ka kushtuar mbi 40 e ca pushtime. Koha është që ky pozicion të funksionojë për shqiptarët. Rruga e Kombit bëri që çdo vit jashtë parashikimeve, jashtë studimit të fizibilitetit, qytetarët shqiptarë të përfitojnë 250 deri në 300 milionë euro nga flukset e mëdha të tregut dhe njerëzore që ajo krijoi. Por rruga e tregut është vetëm gjysma e potencialit të jashtëzakonshëm.

Hekurudha është përgjigjja përfundimtare. Hekurudha bën portet tona më të afërta për Kosovën, për Maqedoninë, për Bullgarinë, Rumaninë. Hekurudha është linja e fushës drejt Evropës Qendrore. Në samit shkohet me projekte rajonale. Nuk mund të shkojë qeveria e Tiranës dhe e Prishtinës me projekt tjetër më të rëndësishëm se hekurudha dhe duhet të kërkojnë mbështetje. Qeveria nuk mundet tu kthejë shpinën projekteve kaq të mëdha për inate personale. Nuk digjet për një plesht jorgani”, deklaroi Berisha.

Lajme të ngjashme

Back to top button