CIVIL: Sjellja e policisë maqedonase, si formacion i shfrenuar para-luftarak

CIVIL – Qendra për Liri që nga fillimi e ndjek gjendjen e emigrantëve nga lufta, të cilët kalojnë nëpër Maqedoni duke kërkuar shpëtim nga vuajtjet në vendet e tyre. Konkluzioni i përgjithshëm është se institucionet e vendit tonë edhe në këtë krizë u paraqitën si joefikase, diskriminuese dhe të dhunshme, reagon CIVIL.

“Ajo që po ndodh ditëve të fundit në kufirin me Greqinë edhe një herë dëshmoi se institucionet e Republikës së Maqedonisë kanë kapacitet ta japin vetëm pasqyrën më të keqe të vendit tonë. CIVIL kërkon nga autoritetet që menjëherë ta ndryshojnë sjelljen e tyre ndaj emigrantëve dhe në tërësi ta respektojnë të drejtën ndërkombëtare. Të papranueshme janë krahasimet me sjelljen e vendeve të tjera ndaj emigrantëve, që apologjetët e qeverisë duan ta imponojnë, haptazi ose në mënyrë suptile, në publik. Krahasimet e tilla mund të interpretohet vetëm si një përpjekje e ngathët për t’i ikur përgjegjësisë.” thonë nga kjo OJQ.

“Në të njëjtën kohë, i bëjmë thirrje të gjithë njerëzve humanë për t’i ndihmuar emigrantët me ushqim, ujë dhe ilaçe. I përgëzojmë vullnetarët për humanitetin dhe sakrificën e tyre. I nxisim të gjithë ata, që kanë informacione në lidhje me arrestim a malltretim të emigrantëve në procedurë policore, ta njoftojnë për të njejtën edhe CIVIL.”thonë nga Civil.

Sipas tyre, sjellja e policisë si formacion i shfrenuar para-luftarak, i kushton vendit tonë shumë më shumë se sa të tregojë humanitet dhe t’i përmbahet standardeve ndërkombëtare.

“Ajo duhet të ndalet, dhe përgjegjësit e sjelljeve të tilla duhet të japin dorëheqje dhe të përgjigjen në përputhje me ligjin. Rrahjet, shok bombat, poshtërimi, telat me gjemba dhe plumbat prej gome nuk mund të jenë arsyetim, por një shenjë e turpshme!” reagon Civil.

Lajme të ngjashme

Back to top button