Zgjedhjet në Dibër, CIVIL bën thirrje për bashkëpunim nga administrata zgjedhore dhe respektim të Kodit Zgjedhor dhe praktikave të mira zgjedhore
Qytetarët e komunës së Dibrës sot do të zgjedhin kryetarin e ri për këtë komunë. Votimi i sotëm për zgjedhjet lokale në Dibër do të monitorohet nga katër vëzhgues të akredituar të CIVIL-it, njofton Portalb.mk.
Organizata apelon që këshillat zgjedhorë në këtë komunë të kenë parasysh se të gjithë vëzhguesit e CIVIL-it, pa përjashtim, janë mobil.
“Monitorimi i zgjedhjeve bëhet me qëllim që procesi zgjedhor të jetë i ligjshëm, i drejtë dhe demokratik. Në radhë të parë, interesi drejtohet në mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut dhe të drejtën e votës. Andaj presim bashkëpunim të mirë me këshillat zgjedhore, gjegjësisht me gjithë administratën zgjedhore.” thanë nga CIVIL.
CIVIL apelon te organet zgjedhore dhe partitë politike, pjesëmarrëse në garën zgjedhore, që të respektojnë Kodin Zgjedhor dhe praktikat e mira zgjedhore dhe të sigurojnë një ditë zgjedhjesh të qetë dhe dinjitoze.
Nga CIVIL u bëjnë thirrje qytetarëve që të votojnë lirshëm dhe me dinjitet dhe për çdo parregullsi t’i raportojnë CIVIL-it.
CIVIL u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të raportojnë parregullsitë zgjedhore, presionet dhe kërcënimet, korrupsionin dhe të mos u nënshtrohen dezinformatave dhe gjuhës së urrejtjes.
Gjatë procesit zgjedhor, në dispozicion është edhe faqja e internetit Zgjedhjet e Lira me një formular aplikimi online për raportimin e parregullsive zgjedhore.
Raporti i parë nga monitorimi zgjedhor i CIVIL-it në Dibër do të publikohet në mesditë.
Në listën e vetme zgjedhore në këtë komunë janë të regjistruar 19.211 persona dhe votohet në 27 vendvotime. Në raundin e parë, rreth 42% e të regjistruarve ushtruan të drejtën e votës.