Delegacioni i BE-së: Organizatat civile nuk duhet të përmbahen nga qëndrimi kritik ndaj reformave

Në disa media u transmetua se diplomatë të paemërtuar të BE-së kanë mbajtur briefing me organizata joqeveritare të Maqedonisë dhe janë shprehur kritika për punën e tyre, por asnjëra nga organizatat më të mëdha të qytetarëve për Meta.mk nuk konfirmuan se kanë qenë të ftuar ose se kanë marrë pjesë në mbledhje të tillë, transmeton Portalb.mk.

Shumë media të vendit javën e kaluar transmetuan një raport në të cilin është shkruar se dy diplomatë evropianë me gjasë kanë dërguar mesazhe se do të kryejnë revizion të organizatave dhe partnerëve me të cilët bashkëpunon Bashkimi Evropian në Maqedoninë e Veriut. Sipas asaj që ishte shkruar në raportet e gazetarëve, delegatët kanë pasur vërejtje për punën e organizatave qytetare dhe mediave të mbështetura nga fondet evropiane.

Vetë ky publikim ishte i dyshimtë nga aspekti se nuk ishte i shënuar burimi i pretendimeve, e as data kur me gjasë është mbajtur briefingu, nuk shënohej lokacioni, e nuk kishte as indikacion se për cilët diplomatë bëhet fjalë. Njëherit, pretendimet nëpër artikuj nuk konfirmoheshin nga burime të pavarura, e as nga ndonjë burim zyrtar.

Nëpër media midis të tjerave u transmetua se “diplomatë të paemërtuar të BE-së” kanë mbajtur briefing me organizata joqeveritare të Maqedonisë, prej të cilit më pas është përpiluar edhe një transkript. Ky transkript u është dërguar vetëm disa mediave. Një pjesë e tyre cituan pjesë të këtij transkripti në gjuhën maqedonase, i cili nëse lexohet me vëmendje do të vihet re se është përplot gabime gramatikore dhe duket sikur është përkthyer në mënyrë jo precize.

Kështu, në transkript qëndron se diplomatët janë qenë të shqetësuar për “tre gjendje kryesore në vendin tuaj nga aspekti i mediave dhe shoqërisë civile: ndikimi gjithnjë e më i madh i kërcënimeve hibdride me qëllim që të shkaktohet erozion i besimit në sistemin e shtetit dhe ta minojnë procesin e aderimit në BE dhe negociatat; shpërndarja e rritur e dezinformatave dhe lajmeve të rreme, si dhe mosangazhimi i mjaftueshëm i një pjese të organizatave të deklaruara pro-BE-së ndaj Bashkimit Evropian dhe integrimit të vendit tuaj; dhe mungesa e transparencës së tyre”.

Në briefingun e supozuar për të cilin ekzistojnë dyshime se nuk është mbajtur fare, në media shkruante se është porositur se BE-ja “vetëm në disa vitet e fundit” i ka mbështetur shoqërinë civile dhe mediat me rreth 10 milionë euro, e për këmbim nga ana e tyre tani kërkohet angazhim i plotë për agjendën e BE-së, para së gjithash për shkak të “kërcënimeve hibride, dezinfomatave dhe mosangazhimit të mjaftueshëm ndaj vlerave evropiane”.

Gjithashtu, vihet në pah edhe për një due-diligence të supozuar të organizatave të sektorit civil “për shkak të gjendjeve shqetësuese të marra nga një pjesë e organizatave në nivel lokal dhe nacional”.

Meta.mk bisedoi me më shumë përfaqësues nga organizatat më të mëdha civile në vend, prej të cilave asnjë nuk konfirmoi se kanë qenë të pranishëm, ose as edhe të kenë qenë të ftuar në një briefing të këtillë me diplomatë evropian.

Nga delegacioni i BE-së për Meta.mk në mënyrë indirekte i demantojnë këto pretendime duke thënë se mbështetja financiare për organizatat civile sigurohet “për zbatimin e aktiviteteve konkrete që i avancojnë vlerat mbi të cilat është ndërtuar BE-ja dhe ndaj të cilave gjithashtu edhe Maqedonië e Veriut është e dedikuar. Kjo përfshin respektimin e të drejtave të njeriut, sundimit e të drejtës dhe vlerave demokratike.”

Ato shtojnë se edhepse presin që organizatat që i mbështesin të veprojnë me profesionalizëm dhe integritet dhe t’i ndajnë të njëjtat vlera, përsëri “shoqëria civile duhet patjetër gjithmonë të jetë e lirë të shprehë qëndrimet e saj mbi ndodhitë dhe të veprojë në mënyrë të pavarur”.

Më tej, shtojnë se presin që “organizatat e qytetarëve të mos përmbahen nga qëndrimi kritik ndaj procesit, reformave dhe vetë BE-së”.

“Shoqëria civile ka rol të rëndësishëm në çdo shoqëri demokratike, me atë që vepron si kontroll i pushteteve, nëpërmjet sigurimit të ekspertizës, promovimit të inovacioneve dhe kreativitetit dhe forcimit të përgjegjësisë demokratike. Pikërisht për këtë shkak, Bashkimi Evropian është mbështetës shumëvjeçar dhe i vazhdueshëm i shoqërisë civile në nivel global, përfshirë këtu edhe nëpërmjet sigurimit të ndihmës financiare”, thuhet në reagimin e Delegacionit të BE-së.

Në reagim thuhet se e njëjta vlen edhe për organizatat e qytetarëve në Maqedoninë e Veriut, për të cilën siç thonë tani është vend-negociues për anëtarësim në BE.

“Në këtë kontekst, shoqëria civile mund të luajë një rol shumë pozitiv dhe të veprojë si partner në promovimin e reformave dhe avancimin e axhendës për integrim në BE. Kjo nuk do të thotë se organizatat e qytetarëve duhet të përmbahen nga qëndrimi kritik ndaj procesit, reformave ose në përgjithësi ndaj vetë BE-së. Megjithatë, është normale dhe e shëndoshë që ndonjëherë të ketë dallime në qëndrime”, thonë ato.

Njoftimi për briefingun e supozuar me diplomatët e paemërtuar u publikua direkt para vizitës zyrtare të përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian, Zhozef Borell, dhe komesarit të BE-së për zgjërim dhe fqinjësi të mirë Oliver Varheji, me rastin e Këshillit të 16 për stabilizim dhe asocim midis BE-së dhe Maqedonisë së Veriut që u mbajt për herë të parë në Shkup.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button